Në Ukrainë, mes së enjtes dhe së premtes, janë arrestuar katër persona të dyshuar se janë përgjegjës për serinë e shpërthimeve që më 27 prill tronditën qytetin Dnipropetrovsk, duke plagosur rreth 30 persona.
Lajmin e ka bërë të ditur prokurori i përgjithshëm, Viktor Pshonka, i cituar nga agjencia “Interfax”, i cili ka shtuar se hetuesit po ndjekin një pistë me sfond të mundshëm politik.
Të katër shpërthimet ndodhën përgjatë rrugës “Carl Marx”, në afërsi të stacionit hekurudhor dhe bombat duket se ishin fshehur brenda qeseve të mbeturinave.
Shpërthimi i parë, që plagosi katër persona, ndodhi rreth orës 11:50 me orën lokale, në një stacion mjetesh publike, përpara teatrit të Operas.
Gjysmë ore më vonë, një shpërthim i dytë plagosi të paktën tetë persona përballë një kinemaje. Shpërthimi i tretë ndodhi pak minuta më vonë në parkun “Globa”, ndërsa i katërti tek i njëjti stacion ku ndodhi dhe i pari.
Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme ukrainase u nisën për në Dnipropetrovsk, dhe bashkë me autoritetet lokale hapën një hetim, që fillimisht ndoqi pistën e terrorizmit.
“Një sfidë që i është hapur tërë vendit”, i quajti presidenti ukrainas Viktor Yanukovich shpërthimet, që ndodhën në qytetin e lindjes së ish-kryeministres Yulia Tymoshenko.
Të njëjtën ditë, në rrugët e Kievit, një korte me mijëra persona parakaloi për të protestuar kundër burgimit të disa figurave të opozitës, mes të cilave Tymoshenko, që ato ditë nisi një grevë urie pasi denoncoi se ishte rrahur në burg.
Top Channel