SHBA: Rusia mbështet Assad

01/06/2012 21:30

Pozicioni i Rusisë ndaj Sirisë perceptohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në Damask në mbështetje të vazhdimit të regjimit të presidentit Bashar al Assad.

Kështu ka deklaruar sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, duke nënvizuar se, nëse Moska është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për një tranzicion politik në Siri, edhe Shtetet e Bashkuara janë gati ta bëjnë këtë me rusët.

Nga ana e saj, Ministria e Jashtme ruse ka deklaruar përmes një komunikate për shtyp se, për masakrat në Siri, në veçanti atë në Hula, “faji është i ndihmave që të huajt po u japin rebelëve sirianë”.

“Masakra është rezultat i ndihmës ekonomike dhe furnizimit me armë moderne të rebelëve, si dhe i rekrutimit të mercenarëve në ndihmë të tyre”, ka deklaruar diplomacia ruse.

Sipas saj, faktorë me rëndësi dhe influencë në skenën ndërkombëtare nuk janë të gatshëm të veprojnë sipas logjikës për një zgjidhje paqësore, por sipas interesave.

Ndërkohë, bilanci i fundit i viktimave të regjistruara gjatë së premtes në Siri, në protestat kundër regjimit të Assad, ka arritur në 28, mes të cilave edhe një adoleshent.

Një qendër humanitare në Siri ka dhënë një listë të detajuar dhe të azhornuar të viktimave: 24 civilë, mes të cilëve fëmija Maher Jaqmur, i riu Muhammad Falah dhe katër ushtarë rebelë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA