Qytetarët në Republikën e Irlandës kanë aprovuar paktin fiskal të Bashkimit Evropian, tregojnë rezultatet e para të votimit të zhvilluar ditën e enjte.
Të dyja kampet, “po” dhe “jo”, e kanë kuptuar tashmë se traktati, që synon përforcimin e rregullave të buxhetit në eurozonë, ishte aprovuar në referendumin e djeshëm.
Rezultatet që kanë dalë nga qendrat e numërimit tregojnë një ndarje 60 me 40 në favor të marrëveshjes. Numërimi është ende në zhvillim në Irlandë, i vetmi shtet i eurozonës që zhvilloi një referendum për paktin.
Rezultatet zyrtare do të dalin më vonë gjatë mbrëmjes. Sondazhet e zhvilluara kanë treguar një fitore të kampit “po”, ndërkohë që pjesëmarrja e ulët dyshohet se ka ndëshkuar kampin tjetër, që gjithësesi nuk do ta pengonte miratimin e traktatit.
Vetëm 12 nga 17 vendet e eurozonës u është kërkuar të ratifikojnë marrëveshjen, që vendos kritere të rrepta për reduktimin e defiçitit.
Në rast se do ta kishte refuzuar, Irlanda nuk do të mund të përfitonte nga fondi i emergjencës i Bashkimit Evropian, kur paketa aktuale e ndihmës të përfundojë në vitin 2013.
Nga fundi i vitit 2010, Irlanda mori ndihmën prej 85 miliardë eurosh nga FMN dhe BE, pasi borxhet mbytën bankat e saj.
Më pak se gjysma e 3.1 milionë votuesve u paraqitën të enjten në qendrat e votimit, duke bërë që të regjistrohej një pjesëmarrje që varionte nga 30 në disa rajone në 50 për qind në zonat kryesore të kryeqytetit Dublin.
Top Channel