BQE: Eurozona rrezikohet nga shpërbërja

31/05/2012 15:45

Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Draghi, deklaroi se huadhënësit e Eurozonës duhet të vendosin se çfarë pamje duhet të ketë blloku në të ardhmen, pasi struktura aktuale është e “paqëndrueshme”.

Dragi deklaroi se BQE nuk mund të mbushë vakumin e lënë nga qeveritë dhe as të stimulojë e vetme rritjen në vendet e monedhës së përbashkët, duke realizuar reforma strukturore.

Duke folur përpara Parlamentit Europian, Draghi deklaroi: “Hapi i ardhshëm dhe më i rëndësishëm i Eurozonës është qartësimi i vizionit të vendeve anëtare për të ardhmen. Sa më shpejt të specifikohet mënyra se si do të veprohet, aq më mirë do të jetë, pasi është e qartë që gjërat nuk mund të vazhdojnë të mbeten njësoj për shumë kohë”.

Nga ana e tij, komisioneri i BE-së për ekonominë, Olli Rehn, deklaroi se më shumë masa shtrënguese kursimi duhen marrë, nëse Eurozona dëshiron të shmangë shpërbërjen.

”Kemi nevojë për një qëndrueshmëri më të madhe dhe një kapacitet të përbashkët për të ndaluar infektimin e sistemeve të shëndosha aktualisht. Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar që euro do të qëndrojë i bashkuar dhe nuk do të shpërbëhet”, deklaroi Olli Rehn.

Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare, euro fitoi lehtësisht vlerë ndaj dollarit, pasi të martën regjistroi kursin më të ulët të këmbimit në dy vjet.

Ditën e enjte, një euro u shkëmbye me 1,241 dollarë, nga 1,235 i dy ditëve më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA