Vendimi për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën pritet të merret me dy korrik të këtij viti.
Këtë e bëri të ditur kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë. Ai tha se ditën e dy korrikut, në qytetin e Vjenës, do të zhvillohet mbledhja e Grupit Ndërkombëtar Drejtues, grup ky i cili përbëhet nga shtetet të cilat e kanë njohur dhe përkrahur pavarësinë e Kosovës sipas planit të Ahtisarit.
“Kjo tregon se shteti ynë, në këtë periudhë ka kaluar me sukses trancizicionin dhe procesin e shtetndërtimit. Suksesi ynë është vlerësuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Karta e Ahtisarit është zbatuar e plotë, të gjitha institucionet i janë përshtatur atyre kritereve, ndërsa tani jemi edhe në fazën e fundit të hartimit të legjislacionit që ka mbetur për t’u miratuar, në veçanti ligji për ndërtim dhe ndërmarrje publike”, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi foli edhe për rëndësinë që sipas tij ka themelimi i zyrës administrative në veri, ndonëse ende nuk dihet vendndodhja e saktë e saj apo edhe koha se kur do të vendoset në funksion.
“Ne do të punojmë që të kemi projekte konkrete përsa i përket mundësisë që të dëgjojmë dhe të përgjigjemi për shqetësimet dhe problemet e serbëve në veri, si një detyrim kushtetues dhe një përgjegjësi e shtetit të Kosovës. Pa dyshim, diçka e tillë do të ndodhë që në të ardhmen e afërt”, shtoi Thaçi.
Sipas kryeministrit, është i rëndësishëm edhe një dialog për të arritur një mirëkuptim rreth manaxhimit të integruar të kufijve.
Ndërkohë, kabineti qeveritar miratoi projektligjin per shëndetësinë. Sipas ministrit të Financave, Bedri Hamza, kostoja financiare e ligjit për vitin e parë është 4 milionë e 200 mijë euro, ndërsa deri në këtë fazë ekziston mbështetja e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Me propozim të ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, kabineti qeveritar miratoi vendimin për ndarjen e 20 mijë eurove në shenjë solidarizimi dhe ndihme për Italinë e goditur nga tërmeti.
Top Channel