Qeveria e Kosovës ka akorduar një fond prej 20 mijë eurosh për t’i ardhur në ndihmë, sado të vogël, zonave të veriut të Italisë të goditura nga tërmeti.
Sipas raportimeve të “REL”, vendimi për t’i ardhur në ndihmë Italisë u mor gjatë mbledhjes së ekzekutivit, me iniciativë të Ministrisë së Jashtme.
Pjesa veriore e Italisë u godit nga një tërmet i fuqishëm pothuajse 6 ballë, që shkaktoi 17 të vdekur dhe mijëra persona të pastrehë, kryesisht në qytezat me ndërtesa të vjetra.
Ndërkohë, lëkundje të reja sizmike janë regjistruar edhe gjatë së mërkurës, por për fat të mirë pa shkaktuar dëme materiale dhe në njerëz.
Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj i ka dërguar një telegram homologut të tij italian, Giulio Terzi, në të cilin shpreh ngushëllimet e qeverisë dhe popullit kosovar per viktimat e tërmetit.
Top Channel