Qindra banorë serbë në veri të Kosovës janë mbledhur paraditen e së
martës në Rudarë të Zveçanit, për të penguar heqjen e barrikadës prej
betoni në këtë zonë.

Sipas raportimeve të “REL”, serbët kishin marrë informacion për mbërritjen e njësive të KFOR-it për të lëvizur barrikadën dhe menjëherë janë mbledhur para saj duke u bërë pengesë për trupat e NATO-s.

Komandanti i njësisë ushtarake, Joseph Lynch ka zhvilluar bisedime me serbët e pranishëm në tentativë për t’i bindur ata që të hapnin rrugën, por ata kanë refuzuar.

“Pengesa rrugore nuk mund të hiqet pasi për një gjë të tillë nuk vendosin serbët që kanë vendosur barrikadën”, ka thënë kryetari ilegal i Zveçanit, Dragisha Milloviç.

Gjithashtu, Milloviç u ka bërë thirrje ushtarëve të KFOR-it që të largohen, kërkesë kjo që është pranuar nga komandantët e njësisë, të cilët janë kthyer në drejtim të Leposaviçit.

Situata në veri të Kosovës aktualisht paraqitet e qetë por e brishtë, gati të shpërthejë me incidente ndëretnike që shkaktohen kryesisht nga banorët serbë që i binden Beogradit.

Për marrjen nën kontroll të situatës, qeveria kosovare njoftoi javën e kaluar ngritjen e Zyrës Administrative për veriun, e cila do të merret me menaxhimin e fondeve për këtë zonë.

Ngritja e zyrës në fjalë nuk u mirëprit nga Beogradi, që përmes zyrtarëve të tij deklaroi se ky veprim është një provokim i hapur që i bëhet shtetit të Serbisë dhe komunitetit serb në Kosovë.

“Qeveria e Serbisë e shpall këtë akt një provokim flagrant që ka për synim shqetësimin e banorëve serbë dhe krijimin e një situate ku janë të mundshme incidentet”, deklaroi Oliver Ivanoviç tre ditë më parë.

Top Channel