Megjithë bëmat e së kaluarës dhe vijimin e retorikës ndezëse të presidentit të ri serb në lidhje me Kosovën apo me vendet e tjera fqinje, Presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barrozo pritet të mirëpresë në Bruksel Tomislav Nikoliç, që në javët e para të muajit qershor.
Pia Ahrenkilde, zëdhënëse e Komisionit Europian:
“Siç e keni parë, pas zgjedhjeve ne nënvizuam rëndësinë e vazhdimit të rrugës europiane nga ana e Serbisë, prandaj sigurisht që ne do të mirëprisnim dhe do të mirëpresim një vizitë nga Presidenti Nikoliç, e për momentin po shohim axhendën për t’ju komunikuar sa më shpejt të jetë e mundur një datë”.
Menjëherë pas formimit të qeverisë së re në Serbi, BE pret vazhdimin e dialogut me Kosovën, duke nisur nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më sot.
Maja Koçijançiç, zëdhënëse e PLPJS në BE Catherine Ashton:
“Në lidhje me dialogun ne e kemi bërë të qartë gjatë gjithë kohës se ne presim që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë. Ne presim tani formimin e shpejtë të qeverisë serbe, pas të cilit do të zhvillojmë konsultime me të dyja palët për të parë se si dhe se kur mund të vijojmë. Ne e kemi bërë shumë të qartë se dialogu është njësoj në interesin e Serbisë dhe të Kosovës. Ka çështje praktike që duhet të zgjidhen dhe ka gjithashtu çështje që duhen adresuar siç është zbatimi i marrëveshjeve të arritura.”
Megjithë retorikën e hapur provokusese, nacionaliste dhe kërcënuese, BE shpreson e pret që Nikoliç do të ndjekë, siç ka deklaruar, reformat drejt rrugës europiane të Serbisë, të cilat duhet të garantojnë, ndër të tjera, bashkëpunimin rajonal, fqinjësinë e mirë dhe pajtimin mes popujve.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel