
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haredin Kuçi ka deklaruar se bisedimet
me Serbinë do të vazhdojnë atëherë pasi të ketë nisur zbatimi i
marrëveshjeve të deritanishme.
“Mendojmë që të implementohen njëherë përfundimet e arritura deri më tani dhe pastaj të shohim se si do të shkojnë gjërat”, ka thënë Kuçi, i cituar nga “RTK”.
Zëvendësi i Thaçit është shprehur optimist se përmbushja e marrëveshjeve do të arrihet, pasi për to kanë dalë garant Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
“Besoj se serioziteti dhe cilësia e këtyre bisedimeve duhet të tregohet me një hap konkret në implementimin e marrëveshjeve”, ka shtuar Kuçi.
Nga ana tjetër, sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç ka deklaruar se qeveria e re e Beogradit do të vijojë të mbajë kontaktet me Prishtinën, gjithmonë përmes Brukselit.
“Qeveria e re serbe pa asnjë dyshim do të vazhdojë komunikimin direkt me Prishtinën përmes Brukselit, pasi ka ende shumë çështje të hapura, mes të cilave veriu”, ka thënë Ivanoviç.
Zyrtari serb ka komentuar sërish vendimin e qeverisë kosovare për hapjen e Zyrës Administrative në veri, duke e vlerësuar si një hap të gabuar që nxit tensionet.
“Ajo zyrë nuk do t’i shërbejë askujt, përveç se do të provokojë ndonjë reagim të serbëve lokalë”, është shprehur Ivanoviç.
Top Channel