
Ndërtimi i palestrës sportive bashkë me një qendër tregtare si dhe rinovimi i palestrës së vjetër sportive “Minatori” synon të thyejë barrikadat e ngritura mbi Urën e Lumit Ibër dhe t’i bashkojë të gjithë të rinjtë pa dallim etnie.
Hapësira e zgjedhur për ndërtimin e palestrës sportive duket se është e përshtatshme si për të rinjtë shqiptarë ashtu edhe për ata serbë. Kjo për shkak të vendndodhjes në afërsi të dy komuniteteve.
Në parkun e qytetit të Mitrovicës në më mënyrë simbolike u vu gurë-themeli i çeljes së punimeve.
Me këtë rast kryeministri Thaçi tha se investimet në Mitrovicë pritet të kapin shifrën deri në 50 milionë euro. Ai përmendi edhe rinovimin e stadiumit olimpik ‘Adem Jashari’, me ç’rast premtoi miqësoren e parë të kombëtares së Kosovës në futboll pikërisht në këtë stadium.
Zbatimi i projektit kap shifrën rreth 23 milionë euro ndërkohë pritet të përfundojë në vitin 2014. 11 milionë janë financuar nga Komisioni Europian ndërsa pjesa tjetër nga qeveria dhe pushteti lokal.
Zbatimi i projektit u vlerësua aq i rëndësishëm sa u tha që njerëzit nga të dyja anët e lumit Ibër do të duhej t’i lënë anash paragjykimet e tyre dhe do t’i tejkalojnë të gjitha problemet për një të ardhme më të mirë.
Top Channel