Drejtori i Programit të Sigurisë Ndërkombëtare në Këshillin Atlantik të Shteteve të Bashkuara, Damon Wilson ka deklaruar se Uashingtoni do ta vlerësojë presidentin e ri të Serbisë në bazë të politikave të tij.

Në një intervistë për versionin serb të “VOA”, Wilson ka thënë se Uashingtoni pret të shohë se çfarë politike do të ndjekë presidenti i ri në planin e brendshëm dhe në veçanti në atë të jashtëm, kundrejt Kosovës.

“Mendoj se Nikoliç do të ketë mundësinë për ta treguar këtë duke marrë hapa dhe masa konkrete përsa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE me Kosovën dhe duke vazhduar reformat për progresin e mëtejshëm të vendit drejt BE-së”, ka thënë Wilson.

Zyrtari i lartë amerikan është shprehur më tej se Uashingtoni e respekton vendimin e qytetarëve serbë për zgjedhjen e Nikoliç president dhe shtoi se ndihet i inkurajuar nga prirjet e treguara deri tani prej tij, për vazhdimin e rrugës drejt BE-së dhe mungesën e retorikës shpërthyese me Kosovën.

Më herët gjatë muajit ishte zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland që i bëri thirrje presidentit të ri të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, që të punojë me Kosovën.

“Ne e inkurajojmë presidentin e ri të Serbisë që të respektojë stabilitetin rajonal dhe të punojë në mënyrë konstruktive me Kosovën”, deklaroi Nuland.

Ndër të tjera, zëdhënësja vlerësoi tendencat e Nikoliç për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe në emër të DASH e ka inkurajuar atë që të arrijë këtë qëllim.

Vetë Nikoliç, i cili ka premtuar se do të jetë një president i të gjithëve, deklaroi javën e kaluar se do të qendrojë në rrugën europiane, pavarësisht se do të përballet me shumë sfida.

Top Channel