Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka kërkuar Bashkimit Evropian që t’i bëjë presion Beogradit për të shpërbërë strukturat ilegale në veri të Kosovës.

“Nëse ky presion do të bëhet, atëherë Serbia do të jetë e detyruar të heqë dorë nga të gjitha politikat destabilizuese ndaj Kosovës”, ka thënë Krasniqi për “RTK”.

Strukturat serbe në veri të Kosovës vazhdojnë të pengojnë përmes barrikadave lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë, si dhe atë të misioneve KFOR dhe EULEX.

Gjithashtu, ato janë bërë shkaktare për incidente të shumta ndëretnike, mes të cilave ajo e pak kohëve më parë ndaj familjes së Selver Haradinaj, i cili humbi jetën ndërsa familjarët e tij u plagosën.

Për marrjen nën kontroll të situatës, qeveria kosovare njoftoi javën e kaluar ngritjen e Zyrës Administrative për veriun, e cila do të merret me menaxhimin e fondeve për këtë zonë.

Ngritja e zyrës në fjalë nuk u mirëprit nga Beogradi, që përmes zyrtarëve të tij deklaroi se ky veprim është një provokim i hapur që i bëhet shtetit të Serbisë dhe komunitetit serb në Kosovë.

“Qeveria e Serbisë e shpall këtë akt një provokim flagrant që ka për synim shqetësimin e banorëve serbë dhe krijimin e një situate ku janë të mundshme incidentet”, deklaroi Oliver Ivanoviç tre ditë më parë.

Top Channel