Udhëheqësi më i lartë ushtarak i grupit separatist bask “ETA” u arrestua në Francë së bashku me një bashkëpunëtorin e tij, informuan të hënën burimet zyrtare.
Sipas asaj që raporton agjensia “EFE”, Oroitz Gurruchaga Gogorza dhe Xabier Aramburu, i vlerësuar si krahu i tij të djathtë, u vendosën në pranga ndërsa ndodheshin në qytetin e Kaunës, në Francën jugperëndimore.
Kapja e tyre u bë e mundur nëpërmjet një operacioni të përbashkët franko-spanjoll.
ETA është fajtore për vrasjen e qindra personave nëpër dekada, por në vitet e fundit fuqia e saj është zbehur ndjeshëm.
Në tetor 2011, grupi lajmëroi ndërprerjen përfundimtare të veprimtarisë së tij të armatosur, por nuk ka dorëzuar armët dhe nuk ka shpallur shpërndarjen e tij.
”ETA” është një organizatë që lufton që prej vitit 1960 për pavarësinë e krahinës baske, nga Spanja dhe Franca. Ajo konsiderohet si një grupim terrorist në Spanjë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Top Channel