Qeveria Siriane nuk është e përfshirë në asnjë formë në masakrimin e 92 fëmijëve në qytetin qëndror të Houlës, ngjarje që ka krijuar një reagim të ashpër ndërkombëtar, sidomos pasi 30 prej viktimave ishin të mitur.
“Jemi në gjendje të mohojmë kategorikisht çdo lloj përgjegjësie për këtë masakër kundër njerëzve tanë”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Siriane në një konferencë për shtyp.
Duke fajësuar terroristët për vdekjet e ndodhura të premten dhe të shtunën, zëdhënësi tha se autoritetet kanë hapur një hetim.
“Një komitet hetues civil dhe ushtarak është ngritur për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje. Rezultatet do të dalin brenda pak ditësh”, shtoi zëdhënësi, duke përsëritur se është dëshira e Damaskut që të ulet sërisht në tryezën e bisedimeve, për të bërë sa më efektiv planin e paraqitur më parë nga Kofi Annan dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Sipas zëdhënësi, asnjë tank qeveritar nuk ka hyrë në Houla, ndërsa trupat ushtarake në qytet kanë vepruar vetëm për vetmbrojtje.
“Ka patur një sulm nga ana e terroristëve nga ora dy e pasdites deri në 11. Asnjë tank i qeverisë nuk është përdorur. Forcat siriane nuk u larguan në asnjë moment nga pozicionet e tyre, ndonëse hapën zjarr kur vija mbrojtëse u sulmua”, u konfirmua.
Deri tani, në më shumë se një vit konflikt, mbi 10 mijë sirianë kanë humbur jetën në përballje.
Siri, vëzhguesit e OKB konfirmojnë masakrën
Vëzhguesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me mision kqyrejen e respektimit të armëpushimit mes forcave opozitare dhe atyre qeveritare në Siri, konfirmuan masakrën e ndodhur në qytetin e Hulas në provincën e Homsit, në veri-perëndim të Damaskut.
Vëzhguesit mbërritën ditën e shtunë në vendngjarje pas denoncimit të aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe opozitës siriane për masakrën. Në Youtube qarkullon një video e cila tregon dhjetra trupa të pajetë, mes të cilëve edhe fëmijë.
Misioni i OKB-së raporton, BBC numëroi të paktën 90 të vrarë, të paktën 32 prej të cilëve fëmijë. “Vrasjet në Hula janë të pamëshirshme dhe nuk ka asgjë në botë që t’i justifikojë ato”, deklaroi për BBC kreu i misionit vëzhgues të OKB-së, Rober Mood.
Pas masakrës ka mbërritur reagimi i parë nga Perëndimi. Sekretari i Jashtëm Britanik, Ëilliam Hague deklaroi për BBC se do të kërkojë një reagim të fortë nga komuniteti ndërkombëtar, por pa përcaktuar nëse si alternativë ishte edhe mundësia e ndërhyrjes ushtarake.
Ashpër reagoi edhe Parisi dhe Liga Arabe. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius dënoi ashpër sulmin dhe tha se do të kërkonte një mbledhje urgjente në Paris të grupit “Miqtë e Sirisë”.
Masakra u raportua fillimisht nga aktivistët të cilët thanë se disa prej viktimave janë masakruar nga milicia, të tjerë humbën jetën në bombardime apo u ekzekuan në masë. Mëngjesin e së shtunës, banorë të shumtë të Tibës dhe Taldos vraponin drejt qendrës së Hulas për të shmangur bombardime të reja.
Ata hodhën në “YouTube” disa video amatore, ku shihen pamjet e tmerrshme të kufomave të fëmijëve të përgjakur. Madje dëgjohet dhe personi që i ka filmuar, i cili bërtet se është e pamundur për t’i numëruar.
Më herët, i dërguari i Ligës Arabe në Siri, Kofi Anan tha se po planifikon të vizitojë Damaskun. Zëdhënësi i tij nuk dha ndonjë datë, por diplomatët në Gjenevë thanë se Anan do të ndalojë në Siri, në fillim të javës së ardhshme.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun shpjegoi se opozita kontrollon pjesë të disa qyteteve të Sirisë. Përmes një letre drejtuar Këshillit të Sigurimit, ai e cilësoi situatën në këtë vend “tejet serioze” dhe u kërkoi vendeve të mos armatosin asnjërën palë në konflikt. Në letrën e tij, ai përmend edhe grupet terroriste tashmë të vendosura në Siri, që mund të jenë pas sulmeve të fundit me bomba.
Ban Ki Mun foli për progres të vogël të përpjekjeve të OKB-së për t’i dhënë fund konfliktit. Siria nuk ka ndalur apo tërhequr armatimet e rënda në shumë zona të vendit, një prej kërkesave në planin e Kofi Anan.
Top Channel