Kandidati i renditur i treti në zgjedhjet presidenciale në Egjipt kërkoi rinumërin të votave të raundit të parë, pasi sipas tij u regjistruan manipulime të “gjithpërhapura”.
Me rezultatin e arritur, kandidati i majtë, Hamdin Sabbahi mbetet jashtë balotazhit vendimtar që do të përballë për postin e kreut të shtetit kandidatin e Vëllazërisë Muslimane, Mohammed Mursi me ish-kryeministrin Ahmed Shafiq.
Sipas rezultateve ende të pacertifikuara, Sabbahi kishte 700 mijë vota më pak nga i rendituri në vendin e dytë, në zgjedhjet ku votuan mbi 50 milionë egjiptianë.
”Me provat që kemi në dorë dhe që po shtohen ora orës, është e qartë se një numër i madh shkeljesh kanë tjetësuar votën që egjiptianët kanë hedhur në kuti”, deklaroi avokati i Sabbahit, që kërkoi ndalimin e procesit dhe mosmbajtjen e balotazhit deri në hetimin e plotë të të gjithë parregullsive.
Ndërkohë, Mursi dhe Shafiq kanë nisur betejën e tyre elektorale, duke shkëmbyer akuza dhe kundërakuza midis tyre.
Ndërsa kandidati i Vëllazërisë e konsideroi rivalin e tij si “të rrezikshëm” për vendin për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me Mubarak, Shafiq nisi të luajë kartën më të fortë që ka në dorë, duke thënë se vendit i duhet një president i të gjithëve dhe jo vetëm për muslimanët.
Zgjedhjet presidenciale në Egjipt
Mohamed Mursi i “Vellazerise Muslimane” dhe ish-kryeministri Ahmed Shafiq jane dy kandidatet qe do te perballen me njeri-tjetrin ne balotazh per t’u percaktuar se cili prej tyre do te udheheqe Egjiptin e post-Mubarak.
Rezultati i votimit të zhvilluar në dy ditë, të mërkurë dhe të enjte, përcaktoi 25.3 përqind të preferencave për Mohammed Mursi dhe 24.9 përqind të tyre për ish-kryeministrin e Mubarak, Ahmed Shafiq.
Dy kandidatët prezantojnë dy kahe të kundërta, gjithmonë në kundërshti me njëra-tjetrën në sferën politike egjiptiane për dekada me radhë.
Egjiptianët i druhen fitores së Shafiq, kryeministri i fundit gjatë regjimit të Mubarak, por vetë kandidati për president, deklaron se epoka e Mubarak ka përfunduar dhe se nuk ka më kthim pas.
“U drejtohem të gjithë egjiptianëve; le të nisim një epokë të re, s’ka më kthim pas. Le të vendosim demokracinë në vend!”, citohet ai nga agjencia e lajmeve AFP.
Raundi i parë i votimeve u karakterizua nga një klimë e tensionuar politike, megjithatë nuk u shoqërua me incidente. Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, i cili ishte në krye të vëzhguesve ndërkombëtarë, deklaroi se procesi ishte “inkurajues për demokracinë në vend”. Zgjedhjet u vlerësuan pozitivisht edhe nga organizma e shoqata të tjera vëzhguese të procesit.
Raundi i balotazhit do të mbahet më 16 dhe 17 qershor.
Top Channel