Dy studentet Eriselda Gubere dhe Florije Peci, të cilat po kurohen në dy klinika të specializuara në Austri, vazhdojnë qëndrojnë në gjendje kome.
Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se mjekët austriakë kanë tentuar të bëjnë zgjimin e tyre, por duke vlerësuar reagimin shëndetësor do të ketë një tentativë tjetër ditën e hënë.
Mjekët vlerësojnë se nuk ka përkeqësim të gjendjes së tyre shëndetësore pasi ajo vlerësohet të jetë e qëndrueshme. Ndërkohë, në Spitalin Ushtarak gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijë një paciente që deri më tani është kuruar në spitalin e Vlorës.
Pas konsultës së mjekëve ditën e hënë paradite, pritet që disa nga studentet e plagosura të lënë ambientet e Spitalit Ushtarak, pasi gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar. Ndërkohë, mjekë të Spitalit Amerikan konfirmojnë se dy pacientet që janë kuruar në këtë spital pritet të dalin po ditën e hënë.
Aktualisht janë 10 paciente që kurohen në pavionet e Spitalit Ushtarak dhe 2 studente në Spitalin Amerikan. Ndërsa në spitalin e Vlorës mbeten vetëm 4 studente që vazhdojnë të trajtohen pasi 5 paciente i kanë lënë ambientet spitalore dhe një prej tyre është nisur drejt Tiranës.
Top Channel