Zgjedhjet presidenciale në Egjipt

26/05/2012 18:40

Mohammed Mursi i “Vëllazërisë Muslimane” dhe ish-kryeministri Ahmed Shafiq janë dy kandidatët që do të përballen me njëri-tjetrin në balotazh për t’u përcaktuar se cili prej tyre do të udhëheqë Egjiptin e post-Mubarakut.

Rezultati i votimit të zhvilluar në dy ditë, të mërkurë dhe të enjte, përcaktoi 25.3 përqind të preferencave për Mohammed Mursi dhe 24.9 përqind të tyre për ish-kryeministrin e Mubarak, Ahmed Shafiq.

Dy kandidatët prezantojnë dy kahe të kundërta, gjithmonë në kundërshti me njëra-tjetrën në sferën politike egjiptiane për dekada me radhë.

Egjiptianët i druhen fitores së Shafiq, kryeministri i fundit gjatë regjimit të Mubarak, por vetë kandidati për president, deklaron se epoka e Mubarak ka përfunduar dhe se nuk ka më kthim pas.

“U drejtohem të gjithë egjiptianëve; le të nisim një epokë të re, s’ka më kthim pas. Le të vendosim demokracinë në vend!”, citohet ai nga agjencia e lajmeve AFP.

Raundi i parë i votimeve u karakterizua nga një klimë e tensionuar politike, megjithatë nuk u shoqërua me incidente. Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, i cili ishte në krye të vëzhguesve ndërkombëtarë, deklaroi se procesi ishte “inkurajues për demokracinë në vend”. Zgjedhjet u vlerësuan pozitivisht edhe nga organizma e shoqata të tjera vëzhguese të procesit.

Raundi i balotazhit do të mbahet më 16 dhe 17 qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA