Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se për hapjen
e Zyrës Administrative në veri, qeveria e Prishtinës është konsultuar
gjerësisht me faktorin ndërkombëtar.

“Suksesi i kësaj zyre varet nga faktori vendor, ai ndërkombëtar, si dhe nga koordinimi me qytetarët serbë”, ka thënë Kuçi për gazetën “Tribuna Shqiptare”.

Deklarata e tij ka ardhur pasi zëdhënësi i KFOR-it, Marc Stuemler tha për mediat se kjo zyrë është tërësisht jashtë kompetencave të misionit ushtarak ndërkombëtar.

Hapja e Zyrës Administrative u njoftua më herët gjatë javës nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili tha se ajo do të merret me shpërndarjen e buxhetit të Republikës së Kosovës në veri.

Këtë gjë deri më tani e ka bërë administrata e UNMIK-ut, çka lë të kuptohet se roli i këtij misioni do të zbehet edhe më tej.

Kryeministri tha se zyra është e karakterit teknik dhe jo politik, ndërkohë që shtoi se qëndron prapa propozimit për një dialog me serbët e veriut.

Në reagimin e tij, sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç deklaroi se ngritja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës është një tjetër provokim dhe përpjekje për të ndryshuar gjendjen në terren në prag të dialogut Beograd-Prishtinë.

“Nuk do të ketë asnjë reagim të veçantë të qeverisë së Serbisë, përveç gjykimit dhe shpalljes së këtij akti një provokim flagrant që nuk ka për synim qetësimin e situatës, por shqetësimin e banorëve serbë dhe krijimin e një situate ku janë të mundshme incidentet”, tha Ivanoviç dy ditë më parë.

Top Channel