Policia e Kosovës në pesë muajt e parë të këtij viti ka konfiskuar sasi
të llojeve të ndryshme lëndësh narkotike, të cilat janë cilësuar si “të
konsiderueshme” nga autoritetet lokale.

Sipas raportimeve të “RTK”, statistikat flasin për 50 kilogramë heroinë, 166 kilogramë marijuanë, si dhe mbi 6 mijë fara që shërbejnë për kultivimin e drogave të lehta.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu deklaroi se të dhënat për 5 muajt e parë të vitit janë pozitive krahasuar me ato të periudhave të mëparshme dhe kjo sipas tij ka ardhur si pasojë e rritjes së kapaciteteve të PK.

“Janë sekuestruar mbi 49 kilogramë të llojit heroinë, mbi 166 kilogramë të llojit marijuanë, si edhe 6 mijë e 274 fara, të cilat dyshohet se shërbenin për qëllime kultivimi”, deklaroi Sadriu.

Zëdhënësi vuri në dukje se sekuestrimi i farave narkotike ka ardhur në formën e operacioneve të parandalimit, pasi sipas hetuesve, në Kosovë mund të kultivohet lënda kanabis sativa.

“Pikërisht kjë formë parandaluese që është duke u zhvilluar këtë vit mundëson parandalimin dhe kultivimin. Kryesisht, dyshohet se këto fara vijne nga rajoni”, theksoi më tej Sadriu.

Por pavarësisht shifrave inkurajuese, në Kosovë kalojnë tonelata drogë në vit, kryesisht heroinë, që ka si destinacion vendet e Evropës perëndimore.

Megjithatë, trafiku i drogës nuk është një problem që ka të bëjë vetëm me Kosvoën, pasi edhe disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, si Spanja dhe Holanda, janë portat kryesore për futjen e kokainës.

Top Channel