Izrael-Rusi, bashkëpunim për Iranin dhe Sirinë

26/05/2012 15:20

Izraeli i kërkoi ndihmë Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për zgjidhjen e çështjes iraniane, gjatë vizitës që kreu i Kremlinit realizoi në Tel Aviv.

Putin është duke realizuar turin e tij të parë në Lindjen e Mesme në shtatë vjet, i konsideruar nga ekspertët si kyç për rritjen e prezencës ruse në rajon.

Pas takimit me presidentin Perez dhe kryeministrin Natanyahu, Putin deklaroi se liderat ranë dakord që bisedimet janë e vetmja zgjidhje si për krizën siriane, ashtu edhe për ambiciet nuklerare të Teheranit.

”Që prej fillimit të të ashtuquajturës Pranvera Arabe, Rusia ka qenë shumë e qartë në vullnetin e saj që ndryshimet demokratike të ndodhin në një mënyrë të qytetëruar dhe pa ndikime nga jashtë”, tha Putin.

Nga ana e tij, Netanyahu tha për mediat se: “Biem dakord që armët bërthamore në dorë të Iranit do të përbënin një kërcënim serioz, fillimisht për Izraelin, por gjithashtu për rajonin dhe të gjithë planetit”.

Duke kërkuar shprehimisht që pasurimi i uraniumit në Iran të ndërpritet, kryeministri hebre shtoi: “Dy gjëra mund të bëhen tani, të shtrëngohen sanksionet dhe kërkesat ndaj regjimit iranian”.

Aktualisht, Irani është duke avancuar në programin e tij bërthamor, i cili sipas Teheranit ka vetëm qëllime civile, por një pretendim i tillë ngjall dyshim në perëndim, duke e bërë Iranin subjekt të shumë sanksioneve ndërkombëtare.

Netanyahu kërkoi gjithashtu ndërmjetësimin rus për rifillimin e bisedimeve të paqes me palestinezët. Turi i Putin në Lindjen e Mesme do të vazhdojë me vizitën në Jordani, ku do të takohet me Mbretin Abdullah II.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA