Mjegullohet fati i dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit. Zyra e kryenegociatores kosovare Edita Tahiri ka kohë që nuk përgjigjet në interesimin e gazetarëve për këtë cështje.
Njëri nga këshilltarët e zonjës Tahiri tha për Top Channel se duhet t’i drejtohemi zyrës së kryeministrit sepse tani gjërat kanë marrë tjetër drejtim, pa specifikuar se për cfarë konkretisht bëhet fjalë. Dicka e tillë vë në pikëpyetje edhe faktin nëse Edita Tahiri do të vazhdojë jetë në krye të këtyre negociatave apo jo.
Burime zyrtare nga kryeministria duke folur në kushte anonimiteti thanë për Top Channel se deri në këtë fazë nuk është bërë asnjë ndryshim në përbërjen e ekipit negociator. Por burimet në fjalë nuk përjashtojnë mundësinë që kjo të ndodhë të ardhmen pasi edhe vetë procesi i dialogut është pezulluar.
Duke komentuar shtypin e ditës së shtunë në Kosovë i cili kryesisht flet për largimin e mundshëm të Edita Tahirit, por edhe ndërmjetësit të BE-se Robert Kuper, burime qeveritare thonë se nuk janë njoftuar nga BE-ja as për ndërrrimin e ndërmjetësit të saj.
Deklarata zyrtare më e fundit mbetet ajo e kryeministrit pak ditë më parë. Hashim Thaci tha se qeveria e tij nuk do të vazhdojë dialogun me qeverinë e Beogradit pa u zbatuar marrëveshjet e arritura në mënyrë të vecantë ajo për përfaqësimin rajonal dhe menaxhimin e integruar të kufijve.
Një tjetër qendrim për këtë mban parlamenti i Kosovës i cili i ka rekomanduar qeverisë që të kushtëzojë bisedimet me zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Top Channel