Britania, plan anti-emigracion

26/05/2012 08:55

Ministria e Brendshme në Britaninë e Madhe po harton një plan emergjencë për t’i bërë ballë një rritjeje të mundshme të emigracionit nga Greqia nëse euro falimenton.

Sekretarja e Brendshme, Theresa May deklaroi për “Daily Telegraph” se po punohet për të kufizuar emigracionin evropian në rast të një kolapsi financiar.

Ajo tha se po ekzaminohen një sërë tendencash për të verifikuar nëse ka rritje të emigracionit nga vendet me ekonomi të tkurrur.

Nëse monedha e përbashkët bie, njerëzit që kërkojnë punë jashtë vendit mund të shohin Britaninë si një alternativë tërheqëse, duke qenë se nuk bën pjesë në zonën euro.

E pyetur nëse po merren në konsideratë kontrolle emergjente për emigracionin, zonja May tha: “Është normale që ne të hartojmë disa plane rezervë për këtë dhe puna është në zhvillim e sipër”.

Ajo tha se nuk ka prova që për momentin emigracioni të jetë në rritje, por theksoi se është vështirë të parashikohet se si do të jetë situata në javët e ardhshme.

Korrespondenti politik i BBC, Robin Brant deklaroi se qeveria ka hapësira për të manovruar, pasi ekzistojnë disa rregulla për situata ekstreme, që mundësojnë kufizime të përkohshme për emigracionin.

Njoftimi për planin vjen pas çrregullimeve të monedhës së përbashkët evropiane, pasi banka e katërt më e madhe e Spanjës, Bankia, kërkoi një ndihmë prej 19 miliardë eurosh nga qeveria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA