
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Miroslav Lajçak i ka
dërguar Beogradit zyrtar një paketë me kushtet që duhen plotësuar për
nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja serbe “Novosti”, që citon një zyrtar të Presidencës serbe, i cili ka preferuar të ruajë anonimatin.
Sipas burimit, Lajçak në paketën e tij ka kërkuar nga kryetari i ri i shtetit serb, Tomisllav Nikoliç formimin sa më parë të qeverisë së re, drejtues të të cilës do të jenë Ivica Daçiç ose Boris Tadiç.
“Kushtet për vazhdimin e dialogut me BE-në përfshijnë edhe disa vendime të vështira që duhen marrë, të cilat kanë të bëjnë me Kosovën”, ka deklaruar zyrtari.
Ndërsa vetë gazeta “Novosti” e komenton dërgimin e paketës si një mesazh të qartë të Brukselit se, rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian nuk do të jetë edhe aq e lehtë.
Nikoliç fitoi zgjedhjet presidenciale në raundin e së dielës përballë rivalit të tij, Boris Tadiç dhe pritet të betohet si kreu i ri i shtetit muajin e ardhshëm.
Ndaj tij janë drejtuar disa herë apele që të punojë në mënyrë konstruktive me Kosovën, siç ishte thirrja e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland.
Ndërkohë, të njëjtën gjë sugjeroi edhe analisti i njohur i çështjeve ballkanase të Universitetit John Hopkins, Daniel Server, në një intervistë për VOA.
Top Channel