Situata në Veriun e Kosovës dhe veprimet e ekstremistëve serbë në këtë zonë kanë zënë vendin kryesor në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë.

“Pengesat që kanë vendosur ekstremistët serbë në pjesën Veriore të vendit kanë kufizuar seriozisht të drejtat themelore, përfshirë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave”, thuhet në raportin e DASH-it.

Raporti nuk e ka anashkaluar vrasjen e pjesëtarit të policisë së Kosovës Enver Zymberi gjatë aksionit policor në korrik të 2011 për marrjen e kontrollit mbi dy pikat kufitare në Veri.

Ndërkaq një pjesë e tij flet edhe për strukturat e Serbisë në Veri të cilat konsiderohen ilegale me operim kryesisht në enklavat e banuara me shumicë serbe. Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi në një prononcim me telefon tha për Top Channel se raporti paraqet gjendjen reale. Sipas tij sa i përket normalizimit të situatës në Veri këtë raport duhet ta marrë seriozisht edhe EULEX-i.

“Realisht edhe Eulex duhet të marrë me seriozitet më të madh këtë raport sepse është me peshë dhe duhet të përmirësojë gjendjen në pjesën veriore”, tha ministri Rexhepi.

Për njohësit e rrethanave në Kosovë pikërisht konstatimi se në Veri veprojnë struktura kriminale në mënyrë të organizuar është pika më shqetësuese i këtij raporti. Sipas Avni Zogianit nga organizata Çohu, kjo tregon edhe njëherë politiken e dyfishtë të ndërkombëtarëve karshi Kosovës. Në njërën anë paraqitet një  gjendje e keqe reale e në anën tjetër nuk e ndihmojnë ndryshimin e saj.
 
“Autoritete Kosovës kanë hasur rezistencë të jashtëzakonshme për vendojsen e rendit në veri të vendit, pikërisht nga SHBA. Raporti shpreh një diplomaci të dyzuar karshi Kosovës”, thotë Avni Zogiani.
 
Pjesë të tjera të raportit flasin për korrupsionin si fenomen shqetësues në Kosovë, kërcënimet e përfaqësuesve të mediave nga ana e zyrtarëve publikë, të drejtat e minoriteteve, dhunën në familje, përfshirë abuzimin bashkëshortor i cili sic thuhet në raport ende mbetet problem serioz dhe i vazhdueshem.

Duke u ndalur më shumë te korrupsioni, raporti thotë se megjithëse ligji parasheh dënime penale për korrupsionin zyrtar, ka zyrtarë të angazhuar në praktika korruptive.

“Qeveria nuk ka zbatuar në mënyrë efektive ligjin. Ka pasur perceptim të gjerë publik për korrupsion në qeveri. Mungesa e mbikëqyrjes gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit i kanë kontribuuar korrupsionit në qeveri”, thuhet mes tjerash në raportin për Kosovën të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë.

Top Channel