Mosrealizimi i reformës parlamentare dhe asaj zgjedhore ka prodhuar
akuza dhe kundra akuza në seancën parlamentare mes kryeministrit Sali
Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të opozitës, Gramoz Ruçi.

Kryeministri Berisha ftoi opozitën që të pranojë votimin e reformave të premten në një seancë të posaçme.

“Jam dakort që të përcaktohen rregulla, në pamjen dhe kalimin në elektronikë të fletës së votimit. Kërkoni që Avokati i Popullit të propozojë kryetarin e KQZ-së. Gjeni një mënyrë tjetër propozimesh dhe ne jemi dakord. Ju kërkuat që 80 për qind e vendimeve të jenë 5 me 2 dhe unë këtë e kuptoj të drejtë. Pse? Sepse kërkoni të keni minorancë bllokuese dhe unë ju jap të drejtë. Bashkërisht kemi rënë dakort, në mënyrë përfundimtare për këtë Kolegj Zgjedhor, që ka tagrin për të gjykuar të gjitha problemet zgjedhore. Merrni vendimin e gjykatës, përcaktoni rregullat e funksionimit të tyre, nuk jam kundër. Nuk jam unë që dua të bllokoj, jeni ju që doni të bllokoni. Ju akuzuat se Berisha po e mban këtë për President, unë po u them, urdhëroni që nesër, po absolutisht juve nuk doni”, tha Berisha.

Gramoz Ruçi u ka dhënë përgjigje propozimeve të Kryeministrit duke theksuar se tashmë jemi përballë një situate ku për ato cështje të reformës zgjedhore, ku ka patur dakortësi në Komisionin Parlamentar, mazhoranca është bërë penduar.

“Jo pa qëllim lini pa përmendur një problem kyç, siç është Komisioni Qendror Zgjedhor. Ju vërtetë në një këshillë që jep ODIHR, siç është ajo e votimit elektronik, që vlen për t’u vlerësuar dhe dakortësuar, dhe përfaqësuesit ua kanë thënë, ju nuk merrni në konsideratë, jo një këshillë, por një rekomandim të raportit të ODIHR-it për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Opozita do garanci për listat e zgjedhjeve, opozitat do garanci për kartat e identitetit, për administrimin e zgjedhjeve nga KQZ-ja, një KQZ me besueshmëri politike dhe të rikompozuar, siç thuhet në rekomandimet e ODIHR-it. Nuk është e vërtetë që opozita ju ka propozuar që Avokati i Popullit të bëjë propozimin dhe mbi bazën e propozimit të atij ne ta miratojmë në sallë. ky është spekulim. Zgjidhni problemin e ankimimit, zgjidhni problemin e administrimit, zgjini çekimin e kartave të identitetit, zgjidhni transparencën e zgjedhjeve dhe jo në 25, por sot pasdite ta votojmë”, tha Ruçi.

Kryeministri Berisha ka shprehur argumentet e tij në lidhje me rregulloren e Parlamentit.

“Keni kërkuar që kryetari i opozitës të ketë të drejta njëlloj si kryeministri. Më gjeni Kushtetutën e vetme në Evropë, që e ka këtë dhe direkt e miratojmë. Gjejeni dhe në rast se ekziston, unë jua votoj. Keni një problem të dytë. Nëse thoni, ‘lideri i opozitës’, por kur ai nuk është Parlament, si do ia bëjmë? Kush do të jetë? Zëdhënësi? Po ju doni të krahasoni Kryeministrin e vendit, me zëdhënësin e liderit të opozitës? Kjo është qesharake”,tha Berisha.

Ndërsa Gramoz Ruçi ka ritheksuar nevojën e këtyre ndryshimeve, duke e ilustruar me shembuj përse rregullorja aktuale duhet permiresuar.

“Ju thoni me gjeni një Parlament? Unë do të thoja, se në cilin parlament të botës, nuk është debati pozitë-opozitë. Në cilin parlament të botës, nuk është e lirë fjala e opozitës, fjala e lirë e deputetëve. Mungon kontrolli parlamentar, zoti kryeministër. Ke disa kërkesa nga deputetët e opozitës në interpelancë, zoti Kryeministër dhe nuk vini. Funksion themelor mbetet në parlament, çështja e zgjedhjes së organeve kushtetuese dhe ne kemi kërkuar atë që e ka çdo parlament i botës, votimin e fshehtë. Ju thoni, më gjeni një shtet, unë do t’ju thosha që mund t’ju gjej vetëm dy shtete që nuk e kanë dhe të gjitha pa përjashtim kanë votimin e fshehtë për votimin e institucioneve kushtetutese”, tha Ruçi.

Top Channel