Presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, vizitën e tij të parë
jashtë vendit do ta zhvillojë në Rusi, ku do të marrë pjesë në kongresin
e partisë Rusia e Bashkuar, e drejtuar nga presidenti Vladimir Putin.

Lajmin e bën të ditur agjencia “Reuters”, që citon një këshilltar të Nikoliç, i cili ka preferuar të ruajë anonimatin.

Sipas burimit, vizita në fjalë ishte planifikuar nga Nikoliç që përpara se ai të fitonte betejën presidenciale me Boris Tadiç në raundin e dytë të 20 majit.

Lideri i Partisë Progresiste të Serbisë, që herë është shfaqur si radikal dhe herë si perëndimor, pritet të betohet si kryetari i ri i shtetit serb muajin e ardhshëm.

Zgjedhjet në Serbi, në veçanti ato presidenciale, kanë bërë që Brukseli të devijojë vëmendjen nga bisedimet Kosovë-Serbi tek zhvillimet politike në Beograd.

Zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Koçijançiç deklaroi se, për momentin Brukseli është i fokusuar tek formimi i qeverisë së re dhe përurimi i presidentit të ri në Serbi.

“Më pas do të zhvillojmë konsultime me të dyja palët për të parë se kur do të vazhdojmë. Për momentin, kontaktet kanë qenë në nivelet më të ulëta”, tha ajo.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, përmes zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, i bënë thirrje presidentit të ri që të punojë në mënyrë konstruktive me Kosovën.

Top Channel