Në Kosovë ka nisur paraditen e së entjes aksioni “Të pastrojmë Kosovën”, që ka si qëllim pastrimin e vendit nga mbeturinat.

Nisma është mbështetur nga presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Thaçi, të cilët kanë dalë në terren bashkë me kryetarin e bashkisë së Prishtinës, Isa Mustafa.

Zyrtarët e lartë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në parandalimin e ndotjes së ambientit.

Presidentja Jahjaga, e cituar nga “RTK”, ka deklaruar se aksioni i sotëm për pastrimin e Kosovës duhet të pasohet nga aksione të tjera të rregullta.

“Shpresoj që ky aktivitetet të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe që ambienti të mirëmbahet, sepse të gjithë ne dëshirojmë që Kosova të jetë më e pastër”, ka deklaruar Jahjaga.

“Por kjo ka shumë të bëjë edhe me ndërgjegjësimin e njerëzve, sepse nuk është vetëm punë njëditore, por një punë e përditshme. Ne dëshirojmë që të kemi një ambient më të pastër, për një jetë më të mirë e më të shëndetshme”, ka vijuar presidentja.

Aktiviteti për pastrimin e mjedisit është një nismë që po mbahet në mbi 100 shtete të botës, përfshirë edhe Kosovën, ku është mbështetur nga krerët e institucioneve më të larta të vendit.

Top Channel