Komisioni Evropian ka rekomanduar sërish që Malit të Zi t’i jepet data e nisjes së negociatave për anëtarësimin në BE.

Në një raport të lëshuar nga vetë Komisioni, të cilit i referohet “REL”, vlerësohet se vendi ballkanas ka bërë progrese, kryesisht në luftën kundër korrupsionit dhe në sundimin e ligjit.

Përmirësimi i sistemit gjyqësor dhe administratës publike, si dhe implementimi i ligjeve për lirinë e medias dhe anti-diskriminimit, vlerësohen gjithashtu me nota pozitive në raport.

Por, në një raport të Departamentit amerikan të Punëve të Jashtme, i publikuar më herët gjatë muajit, shteti fqinj konsiderohej si i zotëruar nga mafia me lidhje deri në instancat më të larta të Podgoricës zyrtare.

Vendimi përfundimtar nëse do t’i jepet ose jo Malit të Zi data për fillimin e negociatave do të merret gjatë samitit të BE-së që do të mbahet në muajin qershor në Bruksel.

Pas Kroacisë, që zyrtarisht do t’i bashkohet Unionit vitin e ardhshëm, Mali i Zi është vendi që ndodhet më pranë anëtarësimit, i ndjekur nga Maqedonia dhe Serbia.

Të dyja këto të fundit kanë marrë statusin e vendit kandidat për në BE, por ende nuk kanë nisur bisedimet për anëtarësimin, të cilat gjithësesi mund të zgjasin disa vite.

Ndërsa vendet e tjera të rajonit si Shqipëria, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova janë ende larg realizimit të ëndrrës për t’u bashkuar me familjen evropiane.

Top Channel