Pak orë përpara mbajtjes së darkës informale të 27 krerëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, José Manuel Barroso, presidenti i Komisionit, priti në Bruksel kryeministrin e përkohshëm të Greqisë.

Panagiotis Pikrammenos u shfaq i hutuar në nisje të këtij takimi, pas të cilit u përsëritën mesazhet për respektimin e angazhimeve.

“Eurozona ka bërë një angazhim për të ruajtur mbështetjen financiare për Greqinë për aq kohë sa është e nevojshme, duke supozuar se Greqia mban angazhimin e saj për të zbatuar reformat strukturore, të cilat janë thelbësore për kthimin e rritjes ekonomike”, theksoi kreu i ekzekutivit të BE-së në një komunikatë të lëshuar në fund të takimit.

Sipas Barrosos, “mënyra më e shpejtë e më pak e vështirë për këtë është zbatimi i plotë i programit të dytë, siç është rënë dakort me Greqinë dhe partnerët e saj ndërkombëtarë, pavarësisht sakrificave të mëdha të deritanishme të popullit grek”.

Pikramenos u prit më pas edhe nga presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, ndërsa në nisje të samitit informal zhvilloi një takim dypalësh me presidentin francez, François Hollande.

Përballja e idesë së Hollande me qëndrimin e kancelares gjermane Merkel dhe mbështetësve respektivë mbi eurobondet dhe borxhin e përbashkët europian parashikohet të prodhojë një prej samiteve më të gjata europiane.

Për Greqinë pritet të bisedohet në fund të darkës jozyrtare, nga e cila, përveç diskutimeve të hapura, nuk priten marrëveshje apo konkluzione të përbashkëta.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA