Ministrja e Integrimit në qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku shprehet e kënaqur me përgjigjet që institucionet përkatëse kanë dhënë në pyetesorin e Komisionit Europian.

Ajo, në mbledhjen e radhës së të mërkurës, njoftoi anëtarët e tjerë dhe kryeministrin Thaçi se të gjitha institucionet e Kosovës i kanë dorëzuar përgjigjet e pyetësorit në Ministrinë e Integrimit.

Sipas saj, i vetmi institucion që akoma nuk e ka kryer detyrimin e tij është Avokati i Popullit. Çitaku shtoi se përgjigjet janë cilësore dhe në përputhje me gjendjen në Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi nga ana e tij kërkoi nga Avokati i Popullit që të gjejë kohë për këtë çështje, ndërsa falenderoi institucionet e tjera për punën e kryer.

Nga ana tjetër, Thaçi po ushtron presion mbi ministrat e kabinetit qeveritar për realizimin e axhendës që orienton Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Më herët gjatë muajit ai lëshoi një sërë kritikash ndaj Bashkimit Europian, që sipas tij po tregohet i padrejtë ndaj përparimeve të Prishtinës në proçesin e integrimit.

Ndërsa një ditë më parë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek deklaroi se Kosova shumë shpejt do të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Këtë deklaratë eurodeputetja e bëri përmes një video-konference me studentët e universitetit “AAB & Riinvest”, në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA