Berisha: Gati të qëndrojmë më tej në Afganistan

23/05/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë, ka folur mbi samitin e NATO-s në Çikago, duke vlerësuar me nota maksimale zhvillimet e këtij evenimenti.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se Shqipëria mori pjesë në vendimet e marra nga vendet anëtare të Aleancës, konsensusi për të cilat ishte i padiskutueshëm.

“Samiti i Çikagos ishte një sukses i vërtetë dhe aty spikati një përgatitje e shkëlqyer, një drejtim shumë kompetent dhe parapërgatitje  e madhe”, deklaroi Berisha.

“Mund të them se në të gjitha vendimet madhore dominoi tërësisht fryma e konsensusit. Dokumentet kryesore të Samitit u miratuan me konsensus të plotë. Organizmi i samiti ishte i përsosur, mikpritja e presidenti Obama dhe qeverisë së tij ishte e shkëlqyer”, tha ai.

Kryeministri foli edhe për darkën e shtruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ku u diskutua gjerësisht mbi Afganistanin.

Zoti Berisha bëri të ditur se u konfirmoi liderëve të vendeve anëtare gatishmërinë e Shqipërisë për të dhënë kontributin e saj në këtë vend edhe përtej afatit të parashikuar nga Aleanca për tërheqjen e trupave.

“Në këtë darkë mora fjalën dhe shpreha vendosmërinë e Shqipërisë për të mbështetur Aleancën dhe për të qëndruar në Afganistan për aq kohë sa Aleanca e Atlantikut të Veriut të qëndrojë në këtë vend dhe se Shqipëria do të jetë  një nga ato vende, që në rast se lipset, edhe pas viti 2014 do të ketë prezencën e saj në ato forma që të jetë e përshtatshme dhe që do të kërkohet, qoftë në kuadrin e Aleancës, qoftë dhe ne bashkëpunim direkt me SHBA-të”, theksoi Berisha.

Kreu i ekzekutivit njoftoi gjithashtu se, gjatë qëndrimit pati mundësi të takohej dhe të shkëmbente mendime me  udhëheqësit e vendeve aleate dhe vendeve të tjera partnere, si me presidentin Obama e kancelaren Merkel.

“Gjithashtu, një bisedë të përzemërt pata me presidentin François Hollande, i cili tregoi mjaft interes për zhvillimet në Shqipëri, me kryeministrin Cameron, me kryeministrin Monti, me presidentin Van Rompuy, me presidentin Barroso, me liderë të rajonit dhe pothuaj me të gjithë të pranishmit në këtë samit”, shtoi Berisha.

Top Channel