Bashkimi Evropian ka pranuar se nuk ka ende një axhendë të qartë për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në një prononcim për “RTK”, zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Koçijançiç ka deklaruar se për momentin Brukseli është i fokusuar tek formimi i qeverisë së re dhe përurimi i presidentit të ri në Serbi.

“Më pas do të zhvillojmë konsultime me të dyja palët për të parë se kur do të vazhdojmë. Për momentin, kontaktet kanë qenë në nivelet më të ulëta”, ka thënë Koçijançiç.

Më herët gjatë muajit, shefja e delegacionit kosovar në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri deklaroi se, pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, nuk mund të flitet për bisedime për tema të tjera.

“Ashtu siç e ka thënë edhe vetë kryeministri Thaçi, në këtë fazë jemi të fokusuar për zbatimin e marrëveshjeve. Kërkojmë një angazhim të vendosur të Bashkimit Evropian, i cili është ndërmjetësues dhe garantuesi i këtij dialogu teknik, që t’i bëjë presion Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve”, deklaroi Tahiri.

“Nuk mund të ketë bisedime për tema të tjera teknike pa u bërë zbatimi i marrëveshjeve”, theksoi kryenegociatorja, duke shtuar se qeveria e Kosovës ka mbetur e zhgënjyer për moszbatimin e plotë të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

Ndërkohë, pak ditë para deklaratës së Tahirit, me iniciativën e një grupi deputetësh, Kuvendi i Kosovës miratoi një mocion, me të cilin thuhet se institucionet e vendit duhet të kushtëzojnë bisedimet me Beogradin me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA