Ligj i veçantë për bregdetin

21/05/2012 00:00

Nga Himara, një prej zonave me probleme të mprehta me pronat, kryetari
Partisë Socialiste, Edi Rama së bashku me grupin e punës për çështjet e
pronës, parashtruan vizionin e opozitës, duke propozuar një ligj të
veçantë për vijën bregdetare, që do të realizohet nga qeveria e ardhshme
socialiste.

Zoti Rama deklaroi se nuk mund të vazhdohet pafundësisht me arnimin e ligjeve të pronësisë.

Tetë institucionet shqiptare, që merren me pronat, sipas Edi Ramës, i kanë thelluar problemet dhe konfliktet duke mbivendosur problematikat e qytetarëve.

“Ne na duhet dhe ne do ta bëjmë sapo të vijmë në qeveri, një ligj për vijën bregdetare të Shqipërisë. Një ligj i posaçëm për vijën bregdetare do të thotë që e gjithë problematika e zhvillimit në vijën bregdetare të trajtohet në mënyrë të posaçme. Vija bregdetare është një pasuri e madhe kombëtare, ku padyshim duhet harmonizuar interesi kombëtar, me interesin privat, ku padyshim duhet zgjidhur problemi i pronësisë dhe i konfliktit të pronësisë, për t’i hapur rrugë një zhvillimi të qëndrueshëm. Po ku, në të njëjtën kohë askush nuk mund të ketë të drejtë që në emër të interesave të tij private të cenojë një plan të integruar të zhvillimit të vijës bregdetare”, tha Rama.

Edi Rama ka premtuar se qeveria socialiste do të hartojë ligjet që lidhen me pronat, duke u konsultuar paraprakisht me banorët e zonave, ku të tilla probleme janë prezente.

“Mungesa e shtetit dhe braktisja që shteti i ka bërë detyrës mbi vijën bregdetare, ka sjellë që kjo të jetë toka e askujt dhe o burra kush është më i zoti, kush është më i fortë, kush është më i lidhur, pushton pjesën e tij, bëhet dhe pronar, ndërkohë që i ka pasur në Alpe stërgjyshërit e gjyshërit e prindërit, shfaqet këtu si pronar i vjetër. Në bregdet në zgjedhjet e ardhshme s’duhet të ketë votë ideologjike për asnjë arsye në botë. Por, duhet të ketë një votë të përbashkët për bregdetin. Për bregdetin si e duam. Për bregdetin që të jetë një vend ku të bjerë në paqe populli, me këtë çështjen e tmerrshme të konflikteve të pronësisë “, tha Rama.

Pavarësisht batërdisë me pronat në vijën e bregdetit Edi Rama tha se ka ende shpresë që kjo barbari të ndalet. “Ne do ta rilinindim bregdetit duke ngritur agjencinë e zhvillimit të bregdetit” ka premtuar kryesocialisti.

Top Channel