Integrimi, Shqipëria e parafundit

21/05/2012 00:00

Gjatë tryezes “Integrimi europian dhe demokratizimi, si dy monedha me
fytyrë të njëjtë”, Instituti Europian i politikave dhe iniciativës me
qendër në Sofie, prezantoi një studim që bazohet mbi indeksin e BE. Ky
indeks mat performancën ekonomike dhe politike në 35 vende anëtare,
përfshi edhe vendet kandidate.

Shqipëria renditet e parafundit në listën e 35 vendeve, duke u vlerësuar me 27 pikë për ekonominë, 22 pikë për kualitetin e jetesës, ndërsa demokracia shqiptare ka mbledhur 15 pikë. Performanca e qeverisë vlerësohet me 20 pikë.

Krahasuar me vendet e rajonit, për mos plotësimin e kritereve të BE-së, Shqipëria renditet e parafundit duke lënë pas vetëm Bosnjën, ndërsa Maqedonia dhe Serbia janë dy vende më sipër në këtë indeks krahasuar me vendin tonë.

Ambasadori BE-së në Tiranë Ettore Sequi tha se përmbushja kritereve politike, merr një rëndësi parësore, e cila përkthehet në më shumë fonde nga Bashkimi Europian, nëse Shqipëria do të marrë statusin e vendin kandidat.
“Mesatarisht Shqipëria – tha Sequi – ka përfituar 94 milionë euro në vit, me marrjen e statusit të vendit kandidat kjo shumë katërfishohet”.

Duke u ndalur në situatën politike në vend, Sequi theksoi nevojën e një Presidenti konsensual. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit Ditmir Bushati u shpreh se përmbushja e 12 prioriteteve do të shërbejë si kredenciale demokratike për shqiptarët në rajon, duke i dhënë një dimension tjetër integrimit, në një situatë kur në Europë vëmendja ndaj zgjerimit, nuk është një çështje parësore.

“Besoj se çështja e statusit është një çështje vlerësimi politik, që do të thotë lidhet direkt me kredon politike të vendit, lidhet direkt me imazhin politik të vendit, jo vetëm në raport me Bashkimin Evropian, por në raport me fqinjët dhe në raport me aderimin tonë në organizma të tjerë ndërkombëtarë, të rëndësishëm dhe statusi nënkupton një perspektivë shumë më të qartë europiane, pasi do ta poziciononte vendin tonë me sy për nga negociatat dhe me sy për nga arritja e disa standardeve edhe më të larta. Kapaciteti politik i BE-së në sytë e qytetarëve europianë, konsiderohet gjithashtu në rënie, sikundër një hendek i madh mes dëshirës që kanë qytetarët europianë dhe mundësisë që kanë qeveritë për t’i jetësuar dëshirat e tyre”, tha Bushati.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Bujar Nishani e vuri theksin e fjalës së tij në rëndësinë që merr bashkëpunimi rajonal.

“Bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse duke pasur në nxitje të organizimit, të realizimit të këtij bashkëpunimi rajonal të Shqipërisë me vendet e tjera të rajonit, vende fqinje apo jo, dhe duke pasur në këtë proces bashkëpunimi detyrimin e aplikimit të standardeve të Bashkimit Evropian, besoj që në fund të fundit kemi bërë një arritje jashtëzakonisht të madhe në bllok të tërë”, tha Nishani.

Top Channel