
Në vitin 2010 shpenzimet totale për shëndetësinë në Shqipëri ishin sa 6.5% e prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Kjo shifër, që përfshin si fondet që jep qeveria ashtu edhe pagesat e vetë qytetarëve nga xhepi, është sipas Bankës Botërore më e ulëta në Ballkan, përjashto Rumaninë.
Në Bosnje, shpenzimet totale për mjekësinë janë 11.1%, ndërsa në Maqedoni dhe Serbi shifra është respektivisht 7.1 dhe 10.4% e prodhimit kombëtar. Arsyeja kryesore se pse Shqipëria shpenzon pak për shërbimin shëndetësor lidhet me buxhetin. Qeveria shqiptare ja lë pjesën më të madhe të shpenzimeve për kurim vetë qytetarëve, ndërkohë që buxheti përballon vetëm një pjesë të vogël të tyre.
Në vitin 2010, sipas Bankës Botërore, në çdo 100 lekë të shpenzuar për shërbimin shëndetësor në Shqipëri vetëm 39 lekë u paguan nga qeveria, ndërsa pjesën tjetër e përballuan vetë qytetarët nga xhepi i tyre. Në të gjitha vendet e rajonit qeveria paguan përmes buxhetit minimalisht mbi 50% të faturës së shërbimit shëndetësor dhe madje në disa raste si në Kroaci, shifra arrin deri në 85%.
Qeveria shqiptare shpenzon pak për shëndetësinë dhe Shqipëria vazhdon të ketë treguesit e vdekshmërisë foshnjore dhe ato amtare më të lartë në rajon, madje dy deri në tre herë më të lartë se fqinjët e saj. Ekspertët thonë se shëndetësia së bashku me arsimin janë dy prioritetet absolute për shkak se lidhen me pasurinë më të çmuar të çdo vendi, që është kapitali njerëzor. Ndaj vitet e fundit fundit Banka Botërore në më shumë se një rast i ka bërë thirrje qeverisë të rrisë mbështetjen për këta dy sektorë, aq sa pak kohë më parë kërkoi madje dhe ndaljen e projekteve të mëdha në infrastrukturë për këtë.
Top Channel