
Deputeti Fidel Ylli drejton grupin e programit për sportin në Partinë Socialiste. Në një takim me sportistë në Vlorë, ai u tregua i pakursyer në kritika ndaj vetë partisë që e ka zgjedhur deputet.
Deputeti Ylli shpjegoi se përse nuk mund të akuzohet vetëm Partia Demokratike për gjendjen e sotme të sportit: “Ishin edhe këta socialistët tanë në pushtet 8 vjet dhe nuk bënë gjë. Sot PS ka marrë një vendim politik për të zhvilluar sportin dhe jo vetëm atë elitar. Kemi ardhur për të folur për kolonat kryesore të këtij drafti: si të ngremë klasat sportive, si të zhvillojmë orët e mësimit nëpër shkolla, si të mos lejojmë shkatërrimin e terreneve sportive dhe kthimin e tyre në pallate.”
Kryetari Edi Rama, që e mori fjalën në vijim, tha se kapitulli i gjatë i degradimit të sportit shqiptar mbyllet vetëm duke ndërtuar një politikë të re ku element kryesor do të ishte rikthimi i sportit në shkolla:
“Sporti në shkolla është asgjesuar përfundimisht dhe ne duam ta kthejmë atë në shkollë dhe kultura sportive të bëhet pjesë e kulturës së shkollës sonë. Ne mund t’i japim një cilësi të re edhe sportit elitar”, u shpreh Rama.
Tryeza e programit të Partisë socialiste për sportin ka hyrë në atë që socialistët e konsiderojnë si faza e dytë. Pra pas takimeve me ekspertë, në këtë fazë është vjelja e mendimit dhe e pytjeve të publikut.
Top Channel