Një shpërthim vetëvrasës shkaktoi të paktën 10 viktima dhe dhjetra të plagosur në një postobllok të ngritur nga policia afgane në provincën e Khostit në lindje të vendit.
Sipas autoriteteve vendore, atentatorja ishte një femër e cila në momentin kur forcat afgane të sigurisë po e kontrollonin, hodhi veten në erë duke shkaktuar viktima në radhët e një autobusi ku udhëtonin edhe disa fëmijë.
Sulmet militante në lindje të Afganistanit, vecanërisht në zonat tribale pranë kufirit me Pakistanin, janë përshkallëzuar ndjeshëm, sidomos në vitin e kaluar. Në shënjestër të këtyre sulmeve kanë qenë forcat e sigurisë, por edhe civilë. Fatkeqësisht, thonë autoritetet afgane, pjesa më e madhe e viktimave janë në radhët e civilëve.
Situata e sigurisë dhe kohëzgjatja e misionit ndërkombëtar ISAF në Afganistan do të diskutohen gjërë e gjatë në samitin e NATO-s në Cikago të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, presidenti i ri francez, Francois Hollande njoftoi tërheqjen e të gjitha trupave të vendit të tij nga Afganistani deri në fund të këtij viti, por shtoi se angazhimi francez në Afganistan do të përforcohet në forma të tjera, pa i specifikuar ato.
Top Channel