Papunësia, “fshehja” e kryeministrit

19/05/2012 16:25

Kryeministri Berisha deklaroi  pak ditë më parë  se shifra e papunësisë prej 1 milion vetë të pretenduar  nga socialistët rrëzohet nga të dhënat indirekte zyrtare, sic janë numri i pensionistëve, fëmijët parashkollor dhe numri i fermave.

Por Ilir Beqaj,  Sekretar për Programin në Partinë Socialiste thotë se kryeministri gabon me shifrat dhe se vetë INSTAT e përgënjeshtron atë me të dhënat zyrtare të publikuara. Sipas Beqaj,  Berisha i llogarit keq shifrat qëllimisht për të mos u treguar shqiptarëve të vërtetën.

“Kryeministri ka deklaruar që në Shqipëri, në moshën parashkollore janë 300 mijë fëmijë, që do të thotë se janë fëmijë të lindur në vitin 2011, 2010, 2009,2008,2007,2006, që do të thotë se nëse në këto gjashtë vite kanë lindur 300 mijë fëmijë, do të thotë se cdo vit kanë mesatarisht nga 50 mijë fëmijë. Por vetë INSTAT jep të tjera shifra. Në grupmoshat që i përkasin pjesës parashkollore, në Shqipëri janë 191 mijë fëmijë, shifrat zyrtare thonë jo më shumë se 191 fëmijë, Saliu thotë 300 mijë. Kjo do të thotë se vetë kryeministri e ka marzhin e gabimit 35 përqind. Kryeministri tha që në fshat janë 320 mijë ferma. Por aty ku INSTAT jep të dhëna për familjet, shohim që ndihmë ekonomike në fshat marrin 61 mijë familje. Pra vërtet paskemi 320 mijë familje, por 61 mijë prej tyre nuk punojnë. 60 në 320 është prap një marzh shumë i lartë gabimi. Kryeministri u përpoq të sjellë edhe shifrat e pensionistëve dhe tha se në Shqipëri janë 560 mijë pensionistë. Po është e vërtetë, po kjo listë përbëhet nga tre grupe që ka legjislacioni ynë, janë pensionet e pleqërisë që duhet të jenë diku tek 430-450 mijë, pensionet e invaliditetit, janë dhe pensionet familjare që në shumicën dërrmuese janë pensione që marrin fëmijët që kanë humbur njërin nga prindërit në punë. Por këta fëmijë nuk mund t’i numërojmë edhe parashkollorë edhe nxënës shkollash, apo të kthehemi e t’i numërojmë njëherësh. Në të njëjtin vlerësim për grupmoshat tona edhe tek pensionistët. Me shifra zyrtare rezulton që gabimi i tij është 50 mijë tek pensionet familjare, 120 mijë tek ndihma ekonomike në fshat dhe 110 mijë tek fëmijët parashkollorë. Pra kryeministri praktikisht e ka 280 mijë gabimin. Për një popullsi sa e jona, kryeministri i vendit të gabojë me 1/10 e popullsisë së vendit të tij, është shumë tragjike”, thotë zoti Beqaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA