Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, nderoi mbrëmë në Nju Jork me medalje dhe urdhra 12 personalitete të diasporës.
Në një ceremoni të organizuar nga Misioni i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, zoti Topi falenderoi figurat e shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe sidomos disa personalitet të klerit në diasporë.
Ai foli gjithashtu për thyerjen e barrierave të komunikimit mes shqiptarëve, 100 vjet pas krijimit të shtetit.
Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi pati mbrëmë në Nju Jork një takim me komunitetin shqiptar, ku u shprehu mirënjohjen shqiptaro-amerikanëve për ndihmesën e tyre në krijimin dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar, në nxitjen e tolerancës fetare dhe në afrimin më të madh mes shqiptarëve.
Zoti Topi tha se vlerësonte me nota të larta kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë në sfidat e vështira që kaloi kombi shqiptar në 100 vitet e fundit:
“Ky kontribut ka ardhur nga zemra dhe pa marrë parasysh vështirësitë e komunikimit, sepse për një periudhë shumë të gjatë shqiptarët kanë qenë të ndarë. Sigurisht e kanë vuajtur shumë shqiptarët brenda Shqipërisë atë izolim të thellë në periudhën e komunizmit, por e kanë vuajtur shumë edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, e kanë vuajtur shumë ata që kanë qenë nën terrorin dhe gjenocidin serb në Kosovë, sigurisht edhe ata në Maqedoni e në mal të Zi”.
Presidenti Topi tha se sot, në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, të gjithë këta kufij të ndarjes janë shpartalluar dhe kjo në sajë të kontributit të të gjithëve.
Ai foli edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në përparimin e shqiptarëve në Ballkan. “Sot është rasti të themi që jemi aleatë në NATO, jemi partnerë strategjikë, dhe jemi vazhdimisht në një bashkudhëtim që do ta çojë Shqipërinë në arritje të reja”.
Presidenti Topi falenderoi figurat e shquara shqiptaro-amerikane, duke filluar me ato të klerit. Pesë nga personalitetet e nderuara mbrëmë pas vdekjes kanë qenë klerikë të tre besimeve që kanë ndihmuar në krijimin e institucioneve fetare të shqiptarëve të Amerikës.
Top Channel