
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar se proçesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe jo ekskluzivitet i një vendimmarrjeje mazhoritare.
Duke folur në një intervistë për VOA nga Nju Jorku, Topi ka preferuar të mos bëjë një identikit të personit që së shpejti do të zërë vendin e tij.
Ai ka vlerësuar se para se të plotësojë rekomandimet e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje, klasa politike shqiptare duhet të plotësojë detyrimet ndaj Kushtetutës së Shqipërisë.
“Do ta konsideroja joelegante të merresha me identikitin e pasardhësit tim. Por, duke e parë situatën në mënyrë “3 dimensionale”, si qytetar, si ish-parlamentar dhe si president, do të konsideroja se proçesi i zgjedhjes së presidentit duhet të jetë jo vetëm serioz e i kujdesshëm, por duhet të gjejë një konsensus sa më të gjerë”, ka deklaruar Topi.
Sipas tij, marrja lehtë e këtij problemi, duke e supozuar zgjedhjen nga një vendimmarrje mazhoritare, do të ketë ndikim përsa i përket pavarësisë dhe funksionalitetit të institucioneve.
“Këto institucione duhet të rrisin pavarësinë dhe profesionalitetin e tyre për të pasur një Shqipëri sa më të mirë”, ka nënvizuar kryetari në ikje i shtetit.
I pyetur mbi gjëndjen e sistemit të drejtësisë, Topi ka pranuar se bëhet fjalë për një sistem që ka nevojë të rigjenerohet, por për këtë sipas tij duhet një frymë më e mirë politike.
Një nga pikat e prekura nga presidenti ka qenë heqja e imunitetit, e cila sipas tij nuk duhet të kufizohet vetëm me parlamentarët, por të jetë më e gjerë në mënyrë që t’i shërbejë edhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të thjeshtë.
“Zërat që e identifikojnë drejtësinë si një çështje që ka nevojë të rigjenerohet, besoj se janë zëra racionalë. Që drejtësia të rigjenerohet duhet të jetë produkt i bashkëpunimit të të gjithë zërave politikë”, ka thënë Topi.
“Reforma në drejtësi duhet të fillohet me heqjen e imunitetit, jo vetëm për parlamentarët, por edhe për gjyqtarët e prokurorët. Ajo duhet të shërbejë jo vetëm për çështje politike, por edhe civile, si për shembull çështja e pronave”, ka vijuar ai.
Më tej presidenti i Republikës e ka vënë theksin tek nevoja e ndryshimit të kulturës politike në Shqipëri, e cila sipas tij tregon se vendi nuk e ka kaluar ende tranzicionin.
“Fakti që diskutohej prej më se dy vjetësh çështja e Gjykatës Administrative, e cila u miratua vetëm tani, tregon rëndësinë e vendimmarrjes së politikës. Kultura politike në Shqipëri ka nevojë për ndryshim”, ka shtuar kreu i shtetit.
Topi takim me Ban Ki-Mun
Presidenti Bamir Topi u takua në Nju Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun.
Ata biseduan për një sërë nismash të OKB-se në mbarë botën. Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen e OKB-së, ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që siç tha ai “tashmë po shohin përpara dhe po punojnë për integrim në Bashkimin Europian”.
Presidenti Topi falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për rolin mjaft konstruktiv dhe qendrimin realist në lidhje me Kosovën, duke mbështetur parimin e të drejtës së popujve për vetëvendosje, njëkohësisht si parim thelbësor i Kartës së Kombeve të Bashkuara.
“Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi mbi çështjet teknike, të cilat duhet të zhvillohen mbi bazën e parimit të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve sovrane”, tha Topi.
Nga ana e tij Ban Ki-Mun tha se në Shqiperi janë hedhur hapa të rëndësishëm përpara në zhvillimin ekonomik e social të vendit, sidomos në kuadrin e ndërtimit e konsolidimit të institucioneve shtetërore.
Top Channel