“A i kishte thënë njeri Teatrit Kombëtar Shqiptar se ky festival nuk ishte Eurovizioni?!”
Kështu e mbyll shkrimin e tij kritiku i artit dhe kineasti Igor Lalic, i cili ka komentuar në faqen e njohur britanike “The Art Desk” mbi performancën e trilogjisë “Henri VI” në Londër nga teatri shqiptar, ai serb dhe ai maqedonas.
Në shkrimin e tij kritiku, i cili jep opinione edhe për prestigjozen “The Times” apo ‘The Economist”, shprehet me nota negative për sa i përket konceptit regjisorial apo kostumeve të tepruara me elemente kombëtare. Lalic, nuk jep vlerësime maksimale as për trupën serbe e cila interpretoi nga teatri Globe i Shekspirit pjesën e parë të trilogjisë, por vlerëson lojën e aktorëve të Manastirit në Maqedoni.
Nga ana tjetër, “The Art Deks” nuk është e vetja që ka kritikuar performancën e 13 majit të Teatrit tonë Kombëtar në festivalin prestigjioz britanik. Kritiku Dan Hutton shkruan në blogun e tij se “nuk mbante mend se cila ishte hera e fundit ku kishte parë një produksion kaq të ngadaltë dhe pa ritëm bazuar në një vepër të Shekspirit”. Sipas Hutton, edhe interpretimi i aktorit të ri Indrit Cobani në petkun e mbretit Henri ishte i dobët dhe pa jetë. Ndërsa interpertimi i Yllka Mujos dukej i tejkaluar në kohë. Shkrimin e tij kritiku e mbyll me komentin se “regjisori Adonis Filipi kishte prezantuar një “Herni të VI” që shprehte asgjë”.
Jo shumë inkurajues është edhe shkrimi kritik i Matt Trueman në “The Guardian”: “Është histori antike edhe për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, i cili luan pjesën e dytë, megjithëse me rrobat e tyre kombëtare me fustanella dhe mantele të zbukuruara. Statikë dhe zyrtarë me rrobat e tyre te purpurta, oborri i Henrit të jep përshtypjen e senatit të Çezarit. Me gjithë pëshpërimat e konspiracionit përqark Henrit, i sjellë nga Indrit Çobani si një personazh i pashije, që gjithsesi nuk është edhe shumë i papërshtatshëm, por është i mërzitshëm. Prodhime të tjera kanë gjetur mënyra të mrekullueshme për ta kapërcyer këtë, fatkeqësisht ky prodhim nuk e bëri. Unë nuk kam asnjë dyshim që pjesa do të kishte qenë shumë më e mirë po të ishte interpretuar në gjuhën angleze, por shpesh, ndërsa personazhet qëndronin në mënyrë statike, duke interpretuar rreshtat e tyre, kuptova se përpjekja e publikut për të ndjekur atë që po ndodhte, do të dështonte. Ai është shumë i varur nga teksti duke harruar se gjysma e spektatorëve mund ta kuptojë atë. Roli i rebelit Jack Cade i luajtur nga Bujar Asqeriu, një Rambo baritor, të jep një efekt pozitiv të shumëpritur, por ky efekt prishet nga aktrimi i pasuesve të tij të zhurmshëm.”
Top Channel