Facebook trondit bursat

18/05/2012 18:50

Facebook është zyrtarisht në bursën amerikane. Ceremonia e hapjes zyrtare të hedhjes në treg të aksioneve të Facebook u mbajt paraditen e së premtes dhe në të merrte pjesë vetë krijuesi i rrjetit social, Mark Zuckerberg.

Kuotimi i Facebook në bursë shton me shifra galopante pasurinë e Mark Zuckerberg. Por në këtë mori shifrash e kuotimesh, njësish e aksionesh në shitje, kërkesash e ofertash është e vështirë të përllogaritet pasuria e tij.

28-vjeçari hodhi në treg 1/5 e aksioneve të kompanisë, 421 milion të tilla. Rrjeti social vlerësoi fillimisht aksionet me 38 dollarë secili. Kërkesa e madhe që në nisje të kuotimit, bëri që Facebook të rriste cmimin, por dhe aksionet në shitje.

Gazeta amerikane Wall Street Journal, në edicionin online të saj publikoi grafikën e shitjes së aksioneve të Facebook në Nasdaq. Kërkesa e madhe për aksionet e rrjetit social detyroi drejtuesit e saj t’i rrisin ato nga 421 milion që ishin me hyrjen në bursë, në 503.6 milion. Por përvec rritjes së aksioneve, rritje pësoi edhe çmimi, që nga 38 dollarë për aksion, shkoi në 40.48 dollarë, vetëm brenda pak orëve.

E përllogaritur në para, vlera e aksioneve të nxjerra në shitje nga Facebook deri më tani dhe me këtë çmim, kap shifrat marramendëse prej 20.39 miliard dollarë.

Megjithatë, ekspertët thonë se përfitimet e Facebook janë të pakta po të krahasohet me madhësinë e tij. Rrjeti social përfiton mesatarisht 5 dollarë në vit për secilin nga 900 milion përdoruesit e tij. Ky numër i stërmadh përdoruesish e bën Facebook një potencial të madh të reklamimit.

Por cfarë rezervon e ardhmja për Facebook? Për këtë të presim e të shohim, por ajo që mund të themi është se kuotimi në bursë i kompanive të tilla është një histori e shkurtër, dështimi, por dhe suksesi. Në nëntor të 2011 Zynga vendosi kuotimin në bursë, por që në ditën e parë humbi 5 përqind të vlerës së aksioneve, ndërkohë që Linkedln dyfishoi fitimet pas kuotimit, po në muajt e fundit të vitit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA