
Kryetarët e bashkive dhe komunave kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me USAID-n , i cili do të ndihmojë gjatë pesë viteve të ardhshme në decentralizimin dhe planifikimin e pushtetit vendor.
Kryeministri Sali Berisha, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu dhe kryebashkiaku Basha kanë përshëndetur këtë nismë. Ambasadori Arvizu është ndalur në bashkëpunimin që duhet të ketë pushteti qendror me atë lokal, por edhe në pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë nismë.
“Të ecurit përpara kërkon dialog të hapur mes pushtetit lokal dhe qendror, kërkon që transferimi i burimeve nga qeveria qendrore në atë lokale të jetë transparente dhe e besueshme. Të ecurit përpara kërkon që shërbimet publike të përmirësojnë manaxhimin e shërbimin e tyre në mënyrë që të kenë financimet e tyre dhe të mos bëhen barrë për qeveritë qendore. Qytetarët duhet t’u kërkojnë llogari të zgjedhurve të tyre në pushtetin qendror apo atë vendorë dhe ata të jenë tërësisht të angazhuar në përcaktimin e përparësive dhe për marrjen e vendimeve që ndikojnë në jetët e tyre”, deklaroi ambasadori amerikan, Arvizu.
Kryeministri Sali Berisha tha se reforma e decentralizimit fiskal, nuk ka ecur për qëllime politike, në parlament. Berisha ka thënë se është domosdoshmëri mbledhja e taksës së pasurisë.
“Qeveria është e gatshme të ndajë me ju të ardhurat fiskale mbi bazën e ligjeve transparente. Nuk mund të mos them këtu se eksperimenti i parë, i bërë me taksën e biznesit të vogël nuk mund të konsiderohet i suksesshëm. Hendeqet e krijuara në mosrealizim, vjen pikërisht nga mosmbledhja, mosadministrimi si duhet i taksës së biznesit të vogël. Sot regjistrimi i fundit dëshmon se pothuajse gjysma e familjeve shqiptare, kanë më shumë se një banesë. Por pse duhet të nguroni jut ë mblidhni pasurinë, taksën e pasurisë në këto rrethana?”, tha në fjalën e tij, kryeministri Berisha.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se është domososhmëri kryerja e ndarjes së re administrative. Projekti i USAid-it do të mbështesë qeverinë për zbatimin e politikave efektive dhe të legjislacionit të decentralizimit.
Top Channel