“Toka i takon atij që e punon”

17/05/2012 00:00

Një nga çështjet më të rëndësishme, e diskutuar nga Parlamenti ishin tre nismat ligjore në lidhje me tokën bujqësore.

Kjo tokë u shpërnda në vitin 1991 me ligjin 7501, por pa u dhënë përfituesve tituj pronësie. Deputeti Braçe akuzoi mazhorancën se ka vendosur tani një kriter përjashtues për përfitimin e titujve të pronësisë, duke përcaktuar se tokën e përfiton ai që e ka kultivuar për qëllime bujqësore. Po kush ishte ai që do ta mbillte tokën, tha zoti Braçe, kur kishte pikërisht të pasigurt titullin e pronësisë?

“Bëhet fjalë për 11 mijë hektarë dhe këtë duhet ta dëgjojë çdo shqiptar, 11 mijë  hektarë dhe për 8 mijë familje. Po i theksoj këto dy shifra sepse thelbi i ligjit, është në dëm, pikërisht të këtyre 8 mijë familjeve, dhe natyrisht të clirimit të 11 mijë hektarëve nga këto familje për t’i lënë të lira pastaj për të gjithë klientët e qeverisë”, tha Braçe.

Ministri i Bujqësisë Genc Ruli sqaroi se nismat bëjnë fjalë vetëm për toka bujqësore dhe jo për ato që vendimet e KKRT-ve u kanë ndryshuar destinacionin, duke i shpallur nga tokë bujqësore në tokë të zhvillimit urban.

“Bëhet vetëm plotësimi me dokumenta të ligjshëm, të rregullt, të marrjes së tokës në pronësi, duke ruajtur të njëjtat kritere dhe sidomos kriterin bazë, të vlerësimit që duhet të ketë qenë subjekt i përfitimit të tokës, që në ligjin e asaj kohe, ai qe e merr titullin e pronësisë sot dhe pa dyshim të mos ketë ndryshuar vendbanimin”, tha ministri Ruli.

Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, si kryetar i Partisë Republikane, ngriti me forcë shqetësimin e mungesës fizike të tokës për kompensimin e ish-pronarëve.

“Ky projektligj në gjykimin tim zvogëlon, ose hedh poshtë mundësinë e kthimit të tij fizik apo kompensimit fizik, sepse aktualisht ne të gjithë jemi koshientë. që nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të lirë në territorin e Shqipërisë, e gjitha është zaptuar në mënyrë të paligjshme është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Atëherë ku do të gjendet fondi për kthimin dhe kompensimin fizik të pronarëve?”, tha Mediu

Por pavarësisht këtij qëndrimi kundër të socialistëve apo të zotit Mediu, në fund të tre projektligjet u miratuan me votat e tjera të mazhorancës.

Top Channel