Andrea Stramaccioni, trajneri aktual i Interit, ka zbuluar se në momentin që zëvendësoi Claudio Ranierin në stolin zikaltër Jose Mourinho e ndihmoi në eksperiencën e re.
Në një intervistë për gazetën italiane ‘Corriere dello Sport’, tekniku i ri u shpreh: “Mourinho më jep këshilla. Më erdhi një mesazh nga ana e tij dhe në fillim mendova se ishte shaka. Mourinho e dashuron Interin dhe unë jam i lumtur të ndjek këshillat e tij.”
Në lidhje me përmbajtjen e mesazhit, Stramaccioni zbuloi: “Më tha që të isha vetvetja brenda dhe jashtë fushës. Pikërisht këtë gjë do të bëj sepse presidenti Moratti për këtë më ka zgjedhur.”
Stramaccioni zëvendësoi Claudio Ranierin në pjesën e fundit të sezonit dhe rezultatet e arritura me Interin bënë që Massimo Moratti ta konfirmonte atë si trajnerin e sezonit të ardhshëm edhe pse objektivi i vendit të tretë nuk u realizua.
Top Channel