Të gjithë e kanë përjetuar kush më shumë e kush më pak dhembjen fizike.
Një ndienjë aspak e këndshme, por njëkohësisht edhe ndienja e parë që të shoqëron sapo vjen në jetë, dhembja është pjesë e pandashme e jetës sonë.
Por, fatkeqësisht, për disa, bashkëjetesa më dhembjen është shndërruar në një sfidë jetike, pasi ata janë të prekur nga dhimbja kronike, e cila i bën ta përjetojnë atë në mënyrë të përditshme.
Për të folur rreth këtij fenomeni, predispozitës dhe mënyrës se si mund të shmanget dhembja kronike, studio e “Pasdites” në “Top-Channel” u vizitua nga mjeku specialist, Apostol Vaso.
“Dhembja është një prej gjërave të pakta që nuk kanë ndryshuar asnjëherë gjatë ekzistencës së njeriut. Mënyra se si ne e ndiejmë dhembjen, është e njëjtë me atë të prindërve tanë, gjyshërve dhe njerëzve edhe dhjetëra shekuj më parë”, nisi shpjegimin e tij Vaso.
“Që të kuptojmë se çfarë është dhimbja, duhet sqaruar se ka dy lloje të saj, dhembje acute dhe ajo kronike. Akutja, është një refleks i trupit ndaj një dëmtimi momental, ndërsa dhembja kronike, është ajo që vazhdon me kohë, edhe pas shërimit të personit. Ajo kronike ka tërhequr vëmendjen e neoshkencës, që futet në imtësi të strukturave qelizore trupore dhe nuk është gjetur ende mekanizmi i plotë për ta shpjeguar dhe kuruar plotësisht”.
Por, çfarë është dhembja kronike. “Është ajo që ne i referohemi rëndom si dhembja e kokës, spondialtroza, dhembja e ciklit menstrual, ajo e barkut, e qafës, e krahut e shumë të tjera si këto. Ne shpesh i lidhim me stilin e jetesës, me një të ftohur, me një goditje, me diçka tjetër, por ky është një shpjegim i cekët”, shpjegoi doktori. “Faktorët që mund ta shkaktojnë janë të panumërt, si një problem fizik, ankthi, pagjumësia, udhëtimet e gjata dhe në tërësi stili i jetesës. Megjithatë, dhembja kronike është ajo që zgjat në kohë, që merr shkas nga një dëmtim, por që vazhdon me muaj apo vite pas shërimit të tij, pa një shpjegim konkret”.
Në vazhdim të programit, specialisti tregoi një studim tejet interesant, të realizuar mbi disa fëmijë, në një përpjekje për të kuptuar se si mund të parandalohet dhembja akute.
Duke ftuar pesë fëmijë të moshës 9-11 vjeç në studio, mjeku dëshmoi me ta faktin se asnjëri prej nesh nuk është në fakt tërësisht simetrikë.
Secili ka “mikrodefekte”, si një këmbë pakëz më të gjatë, një nofull pakëz më të futur, e kështu me radhë, probleme që janë premise më e mirë për të krijuar një dhembje kronike në të ardhmen.
“Asimetra është pikërisht receta më e mirë për të krijuar një problem kronik në të ardhmen. Mënyra më e mirë që kemi në dorë për të shmangur një problem të tillë është aktiviteti fizik, i cili është i domosdoshëm për secilin prej nesh. Është shumë e rëndësishme që prindërit të ndërgjegjësohen në mënyrë që të angazhojnë fëmijët e tyre me aktivitete sportive”, deklaroi doktor Vaso.
Në fund të emisionit, një zonjë 65-vjeçare tregoi historinë e saj të suksesit përballë dhembjes kronike, e cila i nisi në moshën 40-vjeçare dhe i vazhdoi për 20 vjet me radhë, deri në momentin kur nisi të angazhohej në mënyrë të përditshme me sport, duke bërë që prej pesë vitesh të jetë tërësisht e kuruar dhe e çliruar nga çdo lloj dhembje.
Top Channel