Një grup islamik në Siri hodhi poshtë akuzat se ishin ata që organizuan një seri sulmesh kamikaze gjatë javës së shkuar në kryeqytetin e vendit, Damask.
”Fronti i al-Nusrës” fillimisht u duk se pranoi përgjegjësinë e sulmeve, që vranë 55 persona, nëpërmjet një video që ishte publikuar në internet ditën e shtunë.
Megjithatë, në një reagim gjatë së martës, grupi i konsideruar si terrorist nga regjimi i presidentit al-Assad e konsideroi videon si joautentike, të mbushur me gabime dhe të fabrikuar nga autoritetet.
”Të gjitha informacionet rreth aktivitetit tonë do të publikohen në forumet xhihadiste të lëvizjes, por videot e fundit që qarkullojnë në internet janë të fabrikuara dhe të ndërtuara prej atyre që u intereson të fshihen pas emrit tonë”, shkruhej në reagimin zyrtar.
”Al-Nusra” ka pranuar më parë përgjegjësinë për një seri sulmesh, midis të cilave edhe një shpërthim me bombë në Damask në mesin e marsit, që shkaktoi 27 viktima.
Pavarësisht mohimit, një zëdhënës i qeverisë dënoi ashpër aktivitetin e grupit islamik, duke theksuar se kjo është prova më e mirë se “qeveria është duke luftuar ndaj organizatave terroriste të sponsorizuar nga perëndimi për të destabilizuar vendin”.
Njëkohësisht, Ministria e Jashtme Ruse publikoi një deklaratë në të cilën fajësohej Al-Kaeda për sulmet e ndodhura në Damask.
Sipas raporteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rreth 10 mijë persona kanë humbur jetën që prej fillimit të konfliktit 14 muaj më parë, por të dhënat e grupimeve aktiviste në diasporë flasin për një bilanc që mund të jetë deri dy herë më tragjik.
Top Channel