Kriza e borxheve është përhapur shumë më gjerë se në Europë, ndërsa ditën e martë, edhe shteti më i populluar në SHBA, ai i Kalifornisë, lajmëroi për masa shkurtimi me qëllim që të ngushtojë defiçitin e lartë që ka.
Guvernatori i Kalifornisë, Jerry Brown, bëri publik përpara mediave planin e tij për reduktimin e 15,7 miliardë dollarëve të kostove buxhetore.
Në bazë të projektit, 8,3 miliardë dollarë do të reduktohen nga shkurtimet, 5,9 miliardë do të përfitohen nëpërmjet rritjes së taksave dhe 2,5 miliardë dollarë nga disa masa të tjera buxhetore.
Plani parashikon gjithashtu uljen e pagës me 5% për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore.
Në deklaratën e tij për mediat, guvernatori demokrat gjithsesi bëri të qartë se do të duhet kohë dhe vazhdim në rrugën e shkurtimeve, në mënyrë që financat e Kalifornisë të vendosen në barazpeshën e duhur.
”Janë dashur dekada shpenzimesh të pakontrolluara për t’u futur në këto telashe, prandaj askush nuk duhet të presë që gjithçka të zgjidhet brenda vitit. Megjithatë, kryesorja është që jemi duke bërë një proges të vërtetë”.
Në një referendum të caktuar në muajin nëntor, banorët e Kalifornisë do të votojnë edhe për dy propozime taksash të reja, për rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe për rritjen e taksave mbi të ardhurat për të gjithë ata që fitojnë mbi 250 mijë dollarë në vit.
Top Channel