
Në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, kreu i parlamentit turk, Xhemil Çiçek dhe delegacioni që e shoqëronte atë, u prit nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në takim ishte i pranishëm Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, zoti Hasan Sevilir Asan.
Në fillim të takimit, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore dhe miqësinë historike mes dy vendeve, duke shprehur njëkohësisht dëshirën dhe bindjen në intensifikimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat. Kreu i Shtetit konsideroi të një rëndësie të veçantë forcimin e bashkëpunimit dypalësh institucional, sidomos mes organeve më të larta legjislative të Shqipërisë dhe Turqisë, me synim forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Nga ana e tij, Kryeparlamentari turk Xhemil Çiçek, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit të rëndësishëm me Kreun e Shtetit shqiptar, vuri në dukje se ka ndjekur e ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në Shqipërinë mike, duke vlerësuar me këtë rast rolin mjaft pozitiv e serioz institucional, ligjor e kushtetues të Presidentit Topi në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në proceset e zhvillimit demokratik të Shqipërisë, si dhe duke uruar një finalizim sa më të shpejtë të aspiratës integruese të shtetit dhe të popullit shqiptar në familjen europiane.
Presidenti pret gjyqtarët amerikanë
Po të martën, presidenti Topi priti dy gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uoker dhe Kliford Uallas, të cilët ndodhen në vendin tonë për të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore, që po zhvillohet në Tiranë.
Zoti Uoker dhe zoti Uallas vlerësuan lart rolin dhe kontributin e rëndësishëm institucional e kushtetues të Presidentit Topi përgjatë të gjitha proceseve reformuese të sistemit gjyqësor në vendin tonë, duke theksuar si parësore ruajtjen në çdo hap të institucioneve ligjore nga fenomene të ndryshme korruptuese.
Presidenti Topi nga ana e tij, njëkohësisht edhe kryetar i KLD-së, duke përshkruar reformat e ndërmarra në vitet e fundit, që nga ndryshimet në Kushtetutë, në sistemin gjyqësor, apo dhe mbi reformën zgjedhore, vuri në dukje se “interesat e politikës nuk duhet të ndikojnë në proceset vendimmarrëse të pushtetit gjyqësor, pasi në këtë mënyrë cënohet pavarësia e institucioneve të demokracisë dhe parimi i ndarjes së pushteteve”.
Topi pret ministrin danez të Çështjeve Europiane
Në mbrëmje, presidenti Topi priti Ministrin e Çështjeve Evropiane të Mbretërisë së Danimarkës, Nikolai Vamen, i cili shoqërohej në këtë takim nga Ambasadori danez në vendin tonë, Karsten Ankjaer Jensen.
Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona dhe shprehu vullnetin për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e në të gjitha fushat. Gjatë takimit, Presidenti Topi shprehu mirënjohje për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë për ndërtimin dhe forcimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor, sidomos në drejtim të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin në strukturat europiane, ku, aktualisht Mbretëria e Danimarkës kryeson Presidencën e radhës së BE-së.
“Marrja nga Shqipëria e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, – theksoi Presidenti Topi në takim, – kërkon një angazhim maksimal të institucioneve dhe të klasës politike shqiptare, dialog serioz dhe sjellje dinjitoze të të gjithë aktorëve politikë, përkushtim dhe zbatim korrekt të legjislacionit në fuqi, si dhe një bashkëpunim intensiv me Presidencën daneze dhe delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë”.
Ministri danez i Çështjeve Evropiane, Nikolai Vamen, nga ana e tij, pasi falënderoi Presidentin Topi për pritjen e rezervuar, vlerësoi me këtë rast kontributin e rëndësishëm dhe moderues të Presidentit Topi në të gjitha proceset integruese të Shqipërisë, si dhe rolin pozitiv të shtetit shqiptar në ruajtjen e qëndrueshmërisë, paqes e prosperitetit në Ballkan e më gjerë.
Top Channel