
Për herë të parë në një takim të këtij niveli, mazhoranca dhe opozita
përfaqësuan së bashku vendin në dëgjesën e Parlamentit Europian, nga ku
dolën me ndjeshmëri të ndryshme, por më e rëndësishmja me mesazhe të
njëjta për punën që mbetet për t’u bërë për të merituar statusin
kandidat.
“Mendoj, përqasja më realiste për zhvillimet në Shqipëri, një përqasje e cila ka të bëjë me atë që ka ndodhur në të vërtetë me zhvillimet politike duke filluar nga nëntori i kaluar, me planin kombëtar për integrimin, por dhe me realizime konkrete në secilin prej 12 prioriteteve”, tha Edmond Haxhinasto, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm.
“Mesazhet kanë të bëjnë me atë çfarë është arritur deri tani si pasojë e kontributit të pamohueshëm të opozitës përsa i përket miratimit të ligjeve me shumicë të cilësuar dhe përzgjedhjes së Avokatit të Popullit në mënyrë transparente e konsensuale, në përputhje me programin tonë për një shërbim publik europian, sikundër punën që është bërë deri tani, mbi bazën e propozimeve tona, në Komisionet e Reformës Zgjedhore dhe Parlamentare”, tha kryetari i Komisionit për Integrimin në Kuvend, Ditmir Bushati.
“Ajo që pritet, sigurisht është që kjo situatë të konsolidohet më tej. Kjo situatë të vazhdojë të japë produkte konkrete në kuptimin e reformës zgjedhore, të parlamentit, por dhe të reformave të tjera ku duhet shënuar sigurisht një progres që është i vazhdueshëm. Pasi, nga vetë natyra e këtyre reformave, ato nuk ndalojnë, nuk kanë deadline, nuk kanë kufij kohor, ato janë procese që vazhdojnë. Ka një ‘deadline’, sigurisht, por ajo që është e rëndësishme është që edhe ndërsa flasim, aty po diskutohet për të zgjidhur disa nga ♪5ështjet ku palët kanë qëndrime të ndryshme, por kjo është normale, në politikë nuk mund të jesh kurrë dakord për gjithçka, e rëndësishme është që zhvillohet në mënyrë institucionale. Por, ajo që po shpjegoja qëparë ishte që, natyrisht mund të ketë deadline në miratimin e një ligji, dhe pastaj të vijojë me zbatimin e tij dhe vendosjen e një standarti që rregullon mardhëniet ose situatën në sektorë të caktuar, prandaj thashë që këto janë procese që kanë vijueshmërinë e tyre”, tha Haxhinasto.
“Besoj se mesazhet tona janë mirëpritur, mirëpo nga ana tjetër ndjesia ime është që Shqipëria vazhdon që të jetë në bankën e provës, për sa kohë nevojiten rezultate të prekshme në të 12 prioritetet kyçe që ka identifikuar Komisioni Europian për Shqipërinë. Deri tani, në rast se mund të konsiderohet i përmbushur është vetëm ai prioritet që ka të bëjë me miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, dhe gjysma e prioritetit 3 që ka të bëjë me përzgjedhjen e Avokatit të Popullit, të gjitha prioritetet e tjera janë nën sitën e hollë të të gjitha institucioneve të Bashkimit Europian: Komisionit, Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Europian, dhe ky është mesazhi që unë kuptova sot nga ky shkëmbim pikëpamjesh në parlament”, tha Bushati.
Top Channel